‘Afatizimin e ka shpikur Kurti’, ​Krasniqi s’pret marrëveshje të shpejt në dialog

02 janar 2023 | 13:12

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi është skeptik se do të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në mars të këtij viti.

Ai ka thënë se afatizimi i dialogut është shpikur nga kryeministri Albin Kurti, pasi edhe në bazë të planit franko-gjerman s’ka afatizim për ujdinë finale.

Sipas tij, afatizimi i padeklaruar nga ndërkombëtarët nënkuptohet fundi i vitit 2023 dhe fillimi i vitit 2024.

Krasniqi ka thënë se Kurti ka rënë në kurthin e Serbisë për çështjen e targave dhe se gabimet e tij kanë kosto të pariparueshme për vendin. Ai ka adresuar edhe një mori kritikash ndaj Kurtit, duke e quajtur të paaftë për të qeverisur.

“Afatizimin e ka shpikur kryeministri Kurti për të munduar të krijojë një narracion që është i pranueshëm për militantët e tij. Afatizim nuk ka nga partnerët ndërkombëtarë. Afatizimi padeklaruar nënkuptohet fundi i 2023, fillimi i 2024 sepse është një periudhë ku nuk ka zgjedhje në ShBA, BE, Gjermani dhe Francë, por as në Kosovë dhe Serbi së paku të planifikuara. Duke pasur këtë, ata besojnë se mund të ketë një përparim. Por unë personalisht nuk kam pritur dhe as nuk pres që të ketë një marrëveshje kaq shpejtë”, ka thënë Krasniqi për “Kosovapress”.

Sipas Krasniqit, barrikadat dhe tensionet në veri muajin e kaluar filluan për shkak të insistimit të kryeministrit Kurti për çështjen e targave ilegale, për të cilat më vonë hoqi dorë.

Krasniqi ka thënë se si pasojë e këtij gabimi, tash në veri s’ka as targa RKS, as institucione të shtetit që veprojnë plotësisht dhe as sovranitet të plotë.

“Krejt kjo filloi një zinxhirë të veprimeve, dorëheqjen e serbëve nga institucionet, dorëheqjen e kryetarëve të komunave dhe asamblistëve që automatikisht kanë sjellë nevojën kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve, pastaj shkoi situata duke eskaluar. Në fund kryeministri prapë e pranoi me vonesë kërkesën amerikane, i shtyu edhe zgjedhjet kushtetuese dhe legjitime që deri tash është dashur të kryhen. Tash si është situata, as nuk ka targa RKS në veri, as nuk ka institucione të shtetit që veprojnë plotësisht, as s’ka kryetar të komunave e zgjedhje lokale dhe as s’ka sovranitet të plotë… Gabimet që i ka bërë kryeministri Kurti kanë pasur një kosto, janë të ndërlidhura me krejt këtë situatë”, ka thënë Krasniqi.

Krahas kësaj, kryetari i PDK-së, ka thënë se viti 2022 ka qenë vit i humbur për Kosovën, pasi në krye ka qenë një qeverisje jokompetente dhe pa vizion.

Siç ka thënë ai, simboli i qeverisë Kurti është ura tri metra e përuruar në Istog.

“Ky vit ka qenë një vit i humbur për Kosovën. Realisht ka qenë vazhdimësi e mentalitetit të njëjtë qeverisës që ka qenë në vitin 2021. Një qeverisje totalisht jo kompetente, një qeverisje pa vizion, një qeverisje që nuk guxon të veprojë dhe të ndërmarrë projekte të mëdha. Kanë kaluar dy vjet dhe çka mbahet mend një projekt i qeverisë Kurti është ajo ura tri metra në Istog që ka shkuar të presë shiritin. Për dy vjet një urë tri metra. Më duket edhe një gurthemel i një çerdheje, a thoshte se do t’i ndërtonte katër-pesë çerdhe në javë i binte apo muaj. Po flas në kuptimin figurativ, ajo ura është simboli i kësaj qeverisje, dy vjet tri metra urë. Ekonomia ka pasur regres të jashtëzakonshëm, inflacioni është rekord, kriza e energjisë, sikur t’i pyesim njerëzit që po na adresohen janë rrit në mënyrë enorme faturat e energjisë dhe s’kemi pasur dimër të ftoftë ende. Ka pasur probleme në arsim, kurrë greva më të mëdha s’kemi pasur. Punëtorët shëndetësorë po largohen nga sistemi publik, pothuajse çdo ditë dhe çdo javë në numër të jashtëzakonshëm që në planin afat-mesëm ka për të shkaktuar telashe”, ka thënë ai.

Përkitazi me këtë, Krasniqi ka thënë se gjatë këtij viti do të jenë më dinamikë si opozitë, megjithëse shton se vazhdimisht kanë qenë intensivë dhe aktivë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka shkruar në "Facebook" për…