
Afrim Zhitia: Ju gjykatës, hetues e prokurorë, do të pendoheni për veprimet tuaja antikombëtare
Kujtime nga Ramadan Avdiu
… Nga burgu i Mitrovicës në Prishtinë na sillnin gardianët me një veturë që i thonim maricë, Afrim Zhitinë, Ilaz Zhitinë dhe mua.
Me 25 Qershor 1984, ditën e fundit të procesit gjyqësorë, ne të tre nga burgu i Mitrovicës ishim të fundit që arritëm në sallë të gjyqit. Hapësira ishte e ngushtë për të zënë të gjitha ata persona që ishin aty. Kishte së paku 40 familjarë që e përcillnin gjykimin, po aq policë e gardianë burgu, pastaj mbrojtësit, prokurorët, gjykatësit, gazetarët dhe ne 20 të burgosur, pra gjithësejt ishim rreth 150 veta.
Të gjithë ishin në pritje.
Heshtja dominonte në atë ambient të ngushtë, të cilën herë pas herë e thyente pëshertima e ndonjë familjari.
Kur secili kishte arritur të zë vend, në sallë hyri paksa triumfalisht kryegjykatësi Ahmet Ahmeti, me disa letra në dorë dhe akoma pa zënë vend mirë me një fodollëk dhe arrogancë deshti të flasë, por para tij u ngrit e foli Afrim Zhitia i cili tha :
“Gazetat dje kanë shkruar se gjoja unë jam penduar në gjyq dhe se jam 29 vjeçar. Unë jam 19 vjeçar dhe kurrë për jetë nuk pendohem për punët dhe aktivitetin tim çlirimtar.
Kërkoj nga ju dhe ata që kanë shkruar të përmirësojnë gabimet e qëllimshme dhe u bëjë me dije edhe një herë se unë Afrim Zhitia nuk pendohem kurrë në jetë për punët e mija, dhe kurrë nuk do të ndalem nga Rruga e Lirisë deri në çlirimin e atdheut…
Ju gjykatës, hetues e prokurorë, do të pendoheni për veprimet tuaja antikombëtare”…
… dhe vërtetë Afrimi nuk u ndal asnjëherë. Për ato pak vite jetë që kishte, Ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të re.
Nga lufta e ndalën 7 plumba më 2 Nëntor 1989, ku në luftë të pabarabartë me policinë pushtuese ranë heroikisht bashkë me heroin e kombit Fahri Fazliu.
Përjetësisht Lavdi !