Agim Ademi takon ministrin e Sportit, vlerësohet puna e FFK-së dhe sukseset e arritura

12 mars 2026 | 14:23

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, së bashku me nënkryetarin Agim Dibrani dhe anëtarin e KE të FFK-së, Samir Ujkani, patën një takim shumë konstruktiv me ministrin e ri të Sportit, Blerim Gashani.

Ademi ka thënë se në emër të gjithë komunitetit të futbollit, e ka uruar ministrin Gashani për detyrën e re, teksa ka theksuar se “është mirë për sportin tonë që në krye të këtij dikasteri tashmë kemi një ish-futbollist dhe një pasionant të madh të futbollit”.

“Ministrin e njoftova për rrugëtimin dhe zhvillimin e Federatës, për organizimin e garave vendore si dhe për punën dhe përfaqësimin e ekipeve tona kombëtare, teksa i shpreha gatishmërinë e plotë të FFK-së për bashkëpunim të vazhdueshëm, duke qenë se përmes futbollit ne përfaqësojmë dhe promovojmë shtetin tonë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Ademi në rrjetet sociale.

Ai ka thënë se ministri Gashani shprehu kënaqësinë për këtë takim, derisa vlerësoi punën e FFK-së i përgëzoi për performancën dhe sukseset e arritura.

“Ai theksoi se për të sporti nuk është vetëm obligim institucional, por edhe një pasion i veçantë. Ai garantoi se bashkëpunimi me Federatën e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë dhe do të forcohet edhe më tej. Si sfidë kryesore për futbollin tonë ritheksuam se vazhdon të mbetet infrastruktura sportive. Andaj, shprehëm nevojën që Ministria e Sportit të vazhdojë me ritëm të përshpejtuar punën për ndërtimin dhe përfundimin e stadiumeve, të cilat janë jetike për zhvillimin e futbollit dhe për organizimin dinjitoz të ndeshjeve vendore e ndërkombëtare. Ministri na njoftoi se është duke zhvilluar vizita në stadiumet që janë në ndërtim, e për të cilat konfirmoi se janë prioritet i ministrisë”, ka thënë kreu i FFK-së.

Sipas tij, morën zotim nga ministri Gashani se nuk do të tolerohen vonesa të pajustifikuara, pasi përfundimi i këtyre projekteve është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e sportit dhe për krijimin e kushteve më të mira për futbollin në vend.

“Gjatë takimit diskutuam edhe për ndeshjet e radhës të Kombëtares së Kosovës në kuadër të ‘play-off’-it për Kupën e Botës 2026, si dhe për rëndësinë e mbështetjes institucionale për organizimin sa më të mirë për këto ndeshje”, ka thënë Ademi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veterani i UÇK-së, Agim Pllashniku, ka zhvilluar sot një aksion…