Agim Bahtiri thotë se te LDK-ja kërkoi nënshkrimet “pasi u konsultua me Albin Kurti”
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri ka shkuar tek zyrat e grupit parlamentar të LDK-së, për t’i kërkuar nënshkrimet dhe emrin e kandidatit.
Ai, u pa aty derisa shefja e GP të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu përfundoi konferencën për media.
Më pas, Bahtiri shkroi në FB se këtë veprim e bëri me “konsultim paraprak me Kurtin”.
Postimi i tij i plotë:
Mirëmbrëma të dashur qytetarë!
E di se jeni duke e përcjellë me vëmendje situaten aktuale në kuvend, prandaj e ndjej obligim moral që t’iu jap sqarim.
Me konsultim paraprak me kryeminstrin Kurti, shkova në vendin ku po mbahej konferenca për shtyp e LDK-së që t’i kërkoj nënshkrimet në mënyrë që sa më shpejt të gjejmë zgjidhjen për çështjen e Presidentes. Nëse përnjemend i kanë ato nënshkrime, le t’i japin, e mos t’i mbajnë “në ajër”, mos të luajnë me popullin e Kosovës. Mjaft është mjaft!
Ne po bëjmë të pamunduren që ta zgjedhim Presidenten sonte, ndërkohë që ata bëjnë teatër, me një letër nënshkrimesh në të cilën figuron data 25 prill e jo 27 prill, dhe në të cilën nuk ka as emër kandidati, as vule, e as protokollim. Ky popull nuk është analfabet. Sheh, din dhe kupton. Ndërsa këtë opozitë, si çdoherë, do ta ndëshkon.



