
Agim Pllashnikut nuk ia ekzekutojnë pensionin e veteranit të UÇK-së, fajëson ministrinë e drejtuar nga Hekuran Murati
Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Agim Pllashniku ishte larguar nga puna në ndërmarrjen “Ibër-Lepenc” më 31 korrik.
Pas largimit nga puna, Pllashniku ka aplikuar për marrjen e pensionit të veteranit të UÇK-së.
Ndonëse i është njohur kjo e drejtë, Pllashniku ka bërë me dije për “Epokën re” se ka aplikuar për marrjen e pensionit në muajin korrik, por sipas tij nuk i është bërë asnjë pagesë.
“Pas largimit arbitrar nga puna nga Faruk Mujka kam aplikuar që ta gëzojë pensionin e veteranit të UÇK-së. Ndonëse me ligj me takon kjo e drejtë, deri më tani nuk me është ekzekutuar asnjë pagesë pavarësisht se kam aplikuar për marrjen e pensionit menjëherë pas largimit nga puna. Vlerësoj se kjo është një hakmarrje që është duke ma bërë pushteti i Albin Kurtit, konkretisht ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, për shkak të qëndrimeve të mia parimore në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare”, ka thënë Pllashniku.
Pllashniku ka bërë me dije se disa herë ka vizituar Departamentin e për kategoritë e dala nga lufta për të kërkuar realizimin e kësaj të drejte.
“Disa herë kam shkuar në Departamentin për kategoritë e dala nga lufta, i cili funksionit në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, por nuk kam një përgjigje të saktë. Fajtore për mosrealizimin e kësaj të drejte ligjore është Ministria e Financave që unë dyshoj se njerëzit përgjegjës të pushtetit, posaçërisht Hekuran Murati po me hakmerren për shkak të aktiviteteve të mia tashmë publike”, ka thënë veterani i UÇK-së, Agim Pllashniku, i cili e kishte lënë Gjermaninë për t’ju bashkuar thirrjes për çlirimin e Kosovës.
Kujtojmë se veterani i UÇK-së, Agim Pllashniku kishte protestuar kundër deputetes Fitore Pacolli për grandet që u patën raportuar në medie se i kanë përfituar familjarët e saj.
Pllashniku kishte dorëzuar kallëzim penal kundër deputetes Pacolli.
Mirëpo, të gjitha këto i kishin kushtuar atij me largim nga puna në Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër Lepenci”, e cila drejtohet nga Faruk Mujku.
Atij i është përcjellë edhe vendimi, ku thuhej: “Z. Agim Pllashniku i shkëputet kontrata e punës me efekt të menjëhershëm nga data e nënshkrimit të këtij vendimi”.
Për këtë kishte reaguar edhe avokati i Pllashnikut, Gent Gjini, i cili ka thënë se kontrata i është ndërprerë pa paralajmërim ose pa ndonjë vërejtje.