AGIM RAMADANI, ‘AGIMI I LIRISË’ DHE MONOGRAFIA E BEDRI TAHIRIT

27 shtator 2018 | 11:28

Prof. dr. Sabahajdin Cena

Në frymën e parimit të leximit të një monografie që pritet të dalë në dritë për dëshmorin e kombit, sot “Hero i Kosovës”, Agim Rrahim Ramadani, të autorit Bedri Tahiri, kemi nderin ta paraqesim opinionin tonë për heroizmin e Tij dhe për veprën “Agimi i lirisë” si një realizim i suksesshëm, me një qasje të re për këtë personalitet të shquar të historisë sonë.

Luftëtari i lirisë Agim Ramadani, i Rrahimit dhe i nënës Fazile, mbesë e Isa Boletinit, është i lindur më 3 janar të vitit 1960 në fshatin Prekaz i Epërm të Skenderajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Skenderaj, në mënyrë që studimet t’i vazhdojë në Fakultetin Xehetaro-Metalurgjik të Mitrovicës, ashtu siç qëndron edhe në monografinë e Bedri Tahirit, ku në 300 faqe të tekstit gjenden edhe detaje të shumta rreth jetës dhe veprimtarisë patriotike të Agim Ramadanit.

Agimi si fëmijë i parë kishte shumë ëndrra për ditët kur do të çlirohej Kosova, por kishte edhe një barrë më të madhe, i duhej t’i ndihmonte të et, Rrahimit, në mënyrë që të rriteshin e të shkollohen: Brahimi, Bislimi, Samiu, Fehmiu, Shukrija e Fatimeja, ndërsa xha Rrahimi e kishte vështirë që vetë ta siguronte kafshatën e bukës dhe fëmijërinë e lumtur për të gjithë. Agim Ramadanit në çdo hap i gjendej pranë edhe bashkëshortja Sanije, bijë e Krasniqëve, që kujdesej për t’i vënë në dritë vocërrakët: Afërditën, Adnanin, Flamurin dhe Albanin e të gjithë sot janë burra e mbi burrërinë e tyre lëshon dritë edhe monografia e ndarë në shumë pika dhe e pajisur me parathënie në gjuhën shqipe dhe anglishte, ndërsa përveç qasjes së personale shkrimtari Bedri Tahiri vendos edhe opinionet e të tjerëve për heroin Agim Ramadani.

Sipas kësaj Monografie dhe shumë burimeve të tjera, të cilat i shfletoi autori, dëshmori i kombit Agim Ramadani herët kyçet në veprimtarinë e ilegales së Drenicës me nofkën “Lumi” dhe vepron në çdo segment të distribuimit të materialeve që asokohe mund të gjendeshin në çdo skutë e në çdo odë të Drenicës.

Pjesëtarëve të ilegales nuk u mungonte vullneti në mënyrë që para hundëve të policisë më të egër të Evropës të gjendeshin trakte e pamflete për paralajmërimin se ky popull nuk do ta duronte më zgjedhën e robërisë, vijë kjo narrative të cilën profesor Tahiri e ndjek edhe në shkrimet e tjera kushtuar luftës dhe heroizmit të pishtarëve të lirisë, prandaj edhe në rrafshin organizativ nuk mund të gjendet manifestim gjithëpopullor e të mos ishte në krye të organizimit studenti i dalluar Agim Ramadani i Prekazit, jeta e të cilit i parakalon çdo lexuesi gjatë leximit të kësaj Monografie, të shkruar e mbarështruar me një përkushtim të veçantë.

Gjatë formimit të instrumentit të forcës, edhe sipas këtij autori, që me kohë dhe gradualisht evoluoi në Ushtri Çlirimtare të Kosovës, Agimi kyçet në sektorin e Logjistikës dhe shpesh dhente kufirin e mallkuar Shqiptaro-Shqiptar vetëm e vetëm që në “Kosovën – djep Lirie” me “një ushtri e një bajrak” të sillte sa më shumë “Zjarr – lirie”, prandaj edhe me tërë fuqinë që pati dha kontribut të çmueshëm në logjistikën përgatitore e pastaj edhe në front e në prapavijë të luftimeve anembanë Zonës Operative të Drenicës e të Shalës, episode këto të cilat për mrekulli i strukturoi profesor Bedri Tahiri në këtë Monografi.

Kushtet materiale, si pjesë e pandashme e shkrimeve për sajimin e portretit fizik dhe shpirtëror të dëshmorit, sipas autorit, Agimi i kishte më të kufizuara, por në anën tjetër kishte një fizik në harmoni me nevojat e luftës, prandaj edhe me sukses të theksuar i mbaroi të gjitha stërvitjet ushtarake që zhvilloheshin në Shqipëri. Kështu, ai, si i kalitur e i armatosur, menjëherë, në ditët e para të “Marsit të Jasharajve” lidhet me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjendet në çdo front e në krye të shumë aksioneve guerile. Përherë ishte pranë Ilaz Kodrës, Rasim Kiçinës,  Fehmi Lladrovcit, sot të gjithë dëshmorë të kombit e Sami Lushtakut, Rrahman Ramës, Brahim Gjakës, Ragip Jasharit, Zenun Kodrës prandaj edhe sot të gjithë e kujtojnë dhe e përkujtojnë me pietet të lartë, andaj edhe autori i kësaj monografie momenteve të këtilla u kushton një hapësirë normale për një njohës të ngjarjeve gjatë ditëve të luftës.

Në ditën e përjetësimit, kur zhvilloheshin luftimet e përgjakshme në Ashlan dhe përreth Qyqavicës në përgjithësi, kur morën përjetësinë edhe dëshmorët: Sadullah e Avni Dibrani, Mustafë Shyti e Bislim Imeri, Enver e Murat Haliti, komandantët Fehmi e Xhevë Lladrovci, dr. Lec Gradica e Vesel Demaku, Fatime Hetemi e Shefqet Zeka, Valdet Xhemaili e Afrim Hajdaraj etj., luftëtari i lirisë Brahim Gjaka me bashkëluftëtarë, arriti për ta tërhequr trupin e pajetë të Agimit dhe banorët e Ashlanit së bashku me luftëtarët e lirisë ia bënë përcjelljen e fundit për në përjetësi Agimit më 24 shtator të atij viti në fshatin Ashlan dhe sot trupi i pajetë i është bashkuar të gjithë dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës, ndërsa e kaluara e Agimit, sot “Hero i Kosovës” shtrihet nëpër kapitujt e nënkapitujt e monografisë “Agimi i lirisë” të Bedri Tahirit.

Për kolonel Agim Ramadanin e Prekazit janë bërë shumë shkrime në të cilët është skalitur portreti fizik dhe shpirtëror që i ngjante një Kamani të Naim Frashërit, ndërsa emrin e Agimit mbante kazerma e Brigadës 342 të Trupave Mbrojtëse të Kosovës në Mitrovicë, e familja e Agimit përveç shumë relikteve të tjera, ruan edhe një ditar të luftëtarit që nesër mund të jetë lëndë për historianët tanë, aty mund të gjejnë frymëzime edhe poetët, kompozitorët, këngëtarët, piktorët, skulptorët dhe kineastët.

Edhe familja e xha Rrahimit gjatë netëve kur mbijetesa modeste, pas punëve të shumta e të rënda, i lejon ca çaste për të evokuar kujtime, rrëfen me krenari për Agimin dhe të gjithë Agimët që ranë në Agimin e Lirisë dhe të Pavarësisë së Kosovës, e cila tashmë është shtet, e Agimave u duhet një përkujdesje më e madhe institucionale, familjarëve të tyre u duhen vizitat e pjesëtarëve të institucioneve në mënyrë që të gjejnë sadopak ngushëllim për atë se çdo gjë që patën ia dhanë Kosovës.

Në bazë të njohurive personale të dëshmorit të propozuar dhe të aprovuar për titullin “Hero i Kosovës”del përfundimi se kontributi i personalitetit-lëndë e kësaj monografie, mbetet i pakontestueshëm në rrafshin organizativ të celulave të para të organizimit të rezistencës së armatosur në arealen luftarake të Drenicës dhe në Zonën Operative të Shalës, ndërsa betejat e filluara në orët e para të “Marsit të Jasharajave” janë ndër ndërmarrjet më të përgjakshme por edhe më vendimtare për kalendarin luftarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ato ditë, e që mbeten ndër ditët më krenare për Kosovën, Ushtria Çlirimtare e përbërë prej djelmoshave të komandantit legjendar Adem Jasharit, prandaj edhe Agim Rrahim Ramadani u bë personalitet me ndikim për retardimin dhe avancimin e formacioneve të Drenicës e të Shalës, prandaj edhe kapitujt si: Historiku i Skenderajt, Prekazi, Prekazi i Epërm, Trungu rrënjëthellë, Fëmijëria dhe rinia, Dashuria për këngën, Librin dhe armën, Heronjtë e nëntokës, Themelues i LDK-së në Shipol, Pajtimtar gjaqesh e ngatërresash, Përfaqësues në Kongresin e Parë të BSPK-së, Në krye të organizimeve, Kur ëndrra iu bë realitet, Këshilli i Emergjencës, Frymëzime, refletime dhe synime, Akti i dytë i dramës jashariane, Intelektuali ka një Zot: të vërtetën, një “Bibël”- popullin, Agimi – pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Organizimi i jetës së brendshme në Ushtri, Nga ilegaliteti në frontet e luftës, Guerilasi me flatra dragoi, Sy me sy me vdekjen, Trimat jetojnë pas vdekjes, Dëshmori i Gurrrabardhit, Hëna sypërlotur dhe varret binjake, Ankthe netësh gjatë plojës në Qyqavicë, Krimi që tundi botën, Po shkoj te komandanti im, Varrimi, riavarrimi dhe nderimi, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe mendimet e të tjerëve për Agim Ramadanin, begatojnë faqet e kësaj Monografie dhe mundësojnë leximin e lehtë e të këndshëm për lexues të çdo moshe.

Meritë e veçantë e kësaj monografie të prof. Bedri Tahirit, është thyerja e klisheve dhe formulësimeve epike që u bënë rutinë e kohëve të fundit, prandaj qasja në shkrimet për Agim Rrahim Ramadanin, është kahe më e re e qasjeve në neopozitivizmin historik për çka u dëshmua profesor Tahiri, përveç këtij shkrimi, edhe në shkrimet e tjera për Drenicën dhe Shqiptarinë. Autori edhe këtë tekst e pajisi me fotografi, harta e skica, e pajis me faksimile dokumentesh çka e sajojnë edhe brumin historik edhe për historianët dhe studiuesit e ardhshëm të historisë, prandaj autori vë një listë të gjatë të burimeve dhe të literaturës së konsultuar, mbi 70 vepra (artikuj) e që forcojnë nivelin shkencor e hulumtues të një historiani të mirëfilltë.

Së këndejmi, gjatë leximit dhe menjëherë pas përfundimit të procesit të leximit të kësaj monografie, na sajohen imazhet e parakalimit të luftëtarëve të lirisë në krye të të cilëve gjendet edhe heroi i kësaj monografie, Agim Rrahim Ramadani,emri i të cilit sot shkëlqen anembanë Kosovës, ndërsa shtatorja i bën hije e nder vendit e kombit, dhe:

“-Pse nuk ike Sylë, lum nana?

-Kesh pak lig e m’ dhimti kama.

Me pas ik’s’ m’u kish knu sot kanga!”

Lavdi Dëshmorëve të Kombit!

Lavdi Agim Rrahim Ramadanit!

Suksese të reja në shkrime, prof. Bedri Tahirit!

Rahovec, më 5 shtator 2018

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Versace”, shtëpia italiane e modës, e themeluar nga Gianni Versace…