Agim Shahini: USAID-i largohet, por gjurmët e saj mbeten në themelet e zhvillimit të Kosovës

02 korrik 2025 | 10:46

“Lajmi për mbylljen e USAID-it në Kosovë më prek personalisht dhe profesionalisht. USAID-i nuk ishte vetëm një agjenci ndihme – ishte partneri ynë strategjik në ndërtimin e një Kosove më të mirë”, ka theksuar kryetari i AKB-së, Agim Shahini.

Ai ka theksuar se për Aleancën Kosovare të Bizneseve – AKB, kjo ishte një mbështetje themelore në vitin 2002, në ditët tona të para.

“Për mua personalisht, USAID-i më dha mundësinë për aftësim profesional në programe të shumta në ShBA gjatë gjithë kohës, duke formuar rrugën time si lider në shërbim të ekonomisë sonë”.

“Gjatë më shumë se dy dekadave, USAID-i solli në Kosovë investime, dije, partneritete dhe shpresë. Më shumë se 1 miliard dollarë u investuan në drejtësi, arsim, ekonomi dhe demokraci – në vetë themelet e një shteti të qëndrueshëm. Në emër të AKB-së, të bizneseve dhe qytetarëve që përfituan, them me zemër: Faleminderit USAID – për çdo mbështetje, çdo program dhe çdo mundësi. Kosova do t’ju kujtojë gjithmonë me mirënjohje.
Një derë e madhe mbyllet – një mirënjohje e përjetshme hapet!”, ka theksuar kryetari iAKB-së, Agim Shahini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të hollat nga diaspora në Kosovë arritën në 530 milionë…