Agim Veliu: Kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut janë plotësisht legjitime

25 qershor 2026 | 16:19

Ish-ministri i LDK-së dhe ish-deputeti, Agim Veliu, ka thënë se kërkesat për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut janë plotësisht legjitime dhe të drejta.

Sipas tij, ato burojnë nga fakti se ai mori përsipër meritat për çdo sukses të pretenduar, prandaj, thotë se duhet të marrë përsipër edhe përgjegjësinë për dështimin.

“Nën drejtimin e tij, LDK-ja mbeti e ngujuar në vendin e tretë, pa arritur të rikthehet si alternativë serioze për pushtet, pavarësisht premtimeve të mëdha dhe kontrollit të plotë mbi partinë. Pas disa cikleve zgjedhore pa rezultatet e premtuara, qëndrimi në krye të partisë pa reflektim politik shihet si mungesë përgjegjësie dhe pengesë për reformimin e LDK-së. Edhe më shqetësues ishte reagimi arrogant i Abdixhikut ndaj kryetarëve të Lipjanit, Pejës dhe një dege të kryeqytetit, të cilët kërkuan dorëheqjen e tij”, ka shkruar Veliu në “Facebook”.

Veliu ka thënë se në vend se të reflektonte mbi kritikat, Abdixhiku reagoi duke kërkuar dorëheqjen e dy kryetarëve të degëve që kanë fituar vazhdimisht zgjedhjet në komunat e tyre, ndërsa vetë refuzon të japë llogari për rezultatet e partisë në nivel qendror.

“Duke u sjellë si pronar partie e jo si kryetar i zgjedhur, Abdixhiku po dërgon mesazhin se në LDK ndëshkohen ata që kërkojnë llogaridhënie, jo ata që dështojnë. Kur një lider kërkon të heshtë kritikët, të ndëshkojë fituesit dhe të mbrojë veten nga përgjegjësia politike, problemi nuk është më vetëm rezultati zgjedhor. Problemi është mënyra se si ai e kupton demokracinë, debatin e brendshëm dhe vetë funksionimin e partisë”, ka shkruar Veliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo vazhdon të tregojë se familja zë një vend…