Agim Veliu: LDK-së i duhen fitues në ekipin e saj, e jo kandidat të përhershëm!
Agim Veliu, ish-ministër dhe ish-deputet, ka reaguar për rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ai ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit për Lidhjen Demokratike të Kosovës është një sinjal i qartë që nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohet.
“Ky është një mesazh nga qytetarët dhe mesazhe të tilla kërkojnë reflektim të thellë dhe përgjegjësi politike. Si kontribues i LDK-së, ndjej obligim moral dhe politik të them se humbjet e rënda nuk mund të relativizohen, as të kalohen me heshtje. Në demokraci, përgjegjësia është parakusht për besim, ndërsa dorëheqja nuk është dobësi, por akt force dhe pjekurie politike. Prandaj: dera është e hapur! LDK, sot nuk ka nevojë për justifikime (në studio televizive), por për: • analizë të menjëhershme të shkaqeve të humbjes, • hapje të brendshme dhe demokraci funksionale, • dhe për një proces të ri zgjedhor në të gjitha nivelet që i jep shpresë anëtarësisë dhe elektoratit. Vetëm duke hapur rrugë për ndryshim mund ta rikthejmë besimin e humbur dhe të përgatitemi për sfidat e ardhshme. Koha kërkon vendime të guximshme, jo mbrojtje asaj që nuk mbrohet, jo mbajtje të status quo-së. LDK-së i duhen fitues në ekipin e saj, e jo kandidat të përhershëm! Zoti e bekoftë LDK-në”, ka shkruar në “Facebook” Agim Veliu.



