Agim Veliu pas Kuvendit të LDK-së: Nuk shpëtohet nga humbja duke u kapur pas strukturave të kontrolluara
Ish-Ministri i Brendshëm, Agim Veliu, ka bërë reagimin e parë lidhur me Kuvendin e LDK’së që u mbajtë të shtunën, ku Lumir Abdixhiku u rikonfirmua si kryetar.
Veliu ka thënë se “pas humbjes së thellë të zgjedhjeve nuk shpëtohet duke u kapur pas strukturave të kontrolluara, por duke dëgjuar zërin e bazës”, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë se anëtarësia është themeli i kësaj partie.
“Asnjë kryetar, asnjë kryesi, as Këshilli i Përgjithshëm dhe as Kuvendi nuk është mbi vullnetin e anëtarëve të LDK-së. Pas humbjes së thellë të zgjedhjeve nuk shpëtohet duke u kapur pas strukturave të kontrolluara, por duke dëgjuar zërin e bazës. LDK nuk është pronë personale, as e një rrethi të ngushtë. Ajo u përket anëtarëve që e kanë ndërtuar, e kanë mbajtur dhe vazhdojnë ta mbajnë”, ka shkruar Veliu.
“Historia e ka treguar se ata që i presin rrënjët, çajnë themelin, e ngatërrojnë rrugën dhe e shndërrojnë shtëpinë e përbashkët në strehë personale, nuk mbahen mend si kryetarë, por si i fundit që del prej saj”, ka shkruar tutje ai.
Delegatët hodhën poshtë dorëheqjen e Abdixhiku me 164 vota kundër, ndërsa 136 te tjerë votuan për.
Votimi u zhvillua në mënyrë të fshehtë, me pjesëmarrjen e 300 delegatëve.



