
Agim Vinca, nosit lasgushian
Mr. sc. Bedri Zyberaj
Profili i një pedagogu
Të nderuar të pranishëm,
I nderuar prof. Vinca,
Të të kërkohet të paraqesësh profilin prej pedagogu të një njeriu që për plot 40 vjet ka bërë shumë në fushën e edukimit të brezave, në një mjedis kaq elitar, para një auditori studentësh dhe profesorësh, siç është Kolegji AAB, është vlerësim i jashtëzakonshëm i cili në vete bart nderim dhe përgjegjësi njëkohësisht.
Është nderim, sepse Kolegji AAB tanimë është një institucion kombëtar prestigjioz i njohur jo vetëm në shkallë rajoni, po dhe përtej tij.
Është përgjegjësi sepse, mendoj që, pavarësisht nga dëshira e madhe që mund të ketë njeriu për të thënë atë që duhet të thuhet, në një rast të këtillë, për një figurë poliedrike siç është prof. dr. Agim Vinca, dhe pavarësisht nga niveli i përgatitjes që mund të ketë, ka mundësi që të mbetet shumëçka pa u thënë për atë që duhet thënë.
Nën peshën e kësaj përgjegjësie dhe kësaj frike kam përgatitur unë këtë paraqitje për profesorin tim të dikurshëm dhe mikun tim të tashëm, prof. dr. Agim Vinca.
Agim Vinca ka lindur mё 22 maj të vitit 1947 në Veleshtë të Strugës – Maqedoni të Veriut, në një familje arsimdashëse. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Strugë. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu mё 1970 në Universitetin e Prishtinës, në të cilat magjistroi më 1974, pastaj doktoroi më 1983.
Më 1972, saktësisht në prill të këtij viti, ka filluar punën në Universitetin e Prishtinës, fillimisht në detyrën e asistentit e më vonë ka qenë prof. i lëndës Letërsi e sotme shqipe – poezia, detyrë e kreu derisa u pensionua.
Përveç kësaj, në studimet e nivelit master, prof. Vinca ka ligjëruar lëndën Metodat e studimit të letërsisë.
Në fakt, profesionin prej pedagogu prof. Vinca e ka filluar para se ta fillonte punën në Universitetin e Prishtinës.
Në vitin shkollor 1971/72 ka qenë profesor në Gjimnazin e Strugës, pastaj për 40 vjet me radhë, nga 1 tetori i vitit 1972 deri më 1 tetor të vitit 2012, në Universitetin e Prishtinës.
Prof. Agim Vinca është ndër të paktët profesorë, për të mos thënë i vetmi në UP, që ka pritur dhe ka përcjellë 40 gjenerata studentësh.
Përveç Universitetit të Prishtinës, prof. Vinca ka ligjëruar edhe në Universitetin e Tetovës, në Universitetin e Gjakovës dhe në Fakultetin e Edukimit në Prizren.
Ligjërata të veçanta për çështje të ndryshme të letërsisë dhe kulturës shqiptare, prof. Vinca ka mbajtur edhe në universitete të tjera shqiptare si: në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, Universitetin “Fan Noli” të Korçës, Universitetin “Parisi 8” të Parisit – Francë etj.
Duke qenë një nga studentët e tij, më duhet të them se prof. Agim Vinca ishte nga ata pedagog që jepte shumë, por edhe kërkonte shumë.
Për ta dëshmuar këtë po sjell një dëshmi të kohës sa unë isha në studime.
Kur arrinim në vitin e katërt, secili prej nesh duhej të përzgjidhnim një temë për punim diplome dhe mentorin me të cilin do të duhej të punonim.
Studentët që përzgjidhnin temën nga lënda e Letërsisë së sotme shqipe – poezi ishin të paktë, sepse mentori që në këtë rast do të duhej të ishte profesori që ligjëronte lëndën, Agim Vinca, studentët thoshin se kërkon shumë.
Fakti që prof. Vinca ishte ligjërues i Letërsisë së sotme shqipe – poezisë, ia kishte determinuar që të merrej me studimin e kësaj periudhe të poezisë sonë. Duke iu falënderuar seriozitetit, përkushtimit dhe sidomos devotshmërisë së tij ndaj profesionit që ushtronte, ai në vitet ’80 të shekullit të kaluar do të bëhej studiuesi dhe njohësi më i mirë i poezisë shqipe në përgjithësi.
Ndryshe nga disa studiues, kritikë dhe historianë të tjerë të letërsisë, të cilët konceptin e tyre studimor për letërsinë bashkëkohore në vështrimet dhe studimet e veta ua nënshtronin kritereve jashtëletrare (doktrinave politike dhe ideologjike të kohës) që shpinin në përjashtime, jo vetëm të autorëve të veçantë, por edhe të pjesëve të tëra të poezisë shqipe, prof. Vinca nuk shket në këtë kurthe.
Me këtë rast dua ta veçoj monografinë e tij “Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980)” e cila, për mendimin tim, jo vetëm për kohën kur është botuar, por ende, sot e kësaj dite, është e patejkaluar si për nga metodologjia shkencore duke e analizuar dhe vlerësuar poezinë e asaj periudhe (1945-1980) në mënyrë integrale, si për nga sintetizimi, gjykimet e përfundimet e bazuara ekskluzivisht mbi kriteret letrare. Kjo qasje shkencore ia mundëson atij, si asnjë studiuesi tjetër, që t’i gjejë tiparet artistike që kanë mbizotëruar në kohë dhe breza të ndryshëm krijuesish të asaj periudhe, duke mos përjashtuar jo pjesë të tëra të poezisë sonë të asaj kohe, siç ndodhte me disa raste, por asnjë prej emrave të veçantë që ishin larguar nga atdheu për shkaqe politike.
Sa i përket fushës së kritikës dhe historisë së letërsisë, veçantinë e kontributit të prof. Vincës e kanë theksuar shumë studiues, ndër të cilët edhe kritiku i njohur kanadez Robert Elsi, i cili ka thënë se Agim Vinca “është i shquar, midis të tjerash, për gjykim të mprehtë”.
Ndërsa kritiku Nasho Jorgaqi, për individualitetin krijues të prof. Vincës si kritik letrar dhe studiues i letërsisë, ka shkruar: “Te Agim Vinca bashkohen pasioni i hulumtuesit me sensin e hollë e realist të kritikut dhe aftësitë përgjithësuese të studiuesit”.
I tillë, Agim Vinca, është edhe si poet, publicist, përkthyes etj.
Prurjet e tij në këto fusha, nga studiues dhe kritikë të ndryshëm, janë vlerësuar si kontribut i jashtëzakonshëm për krijimtarinë poetike shqipe, për historinë e letërsisë, për mendimin kritik të kësaj letërsie, për publicistikën dhe përkthimin.
Duke pasur parasysh natyrën e këtij aktiviteti të sotëm dhe me qëllim që, juve audiencë e nderuar të mos ju marrë shumë kohë, po sjell, në këtë rast, një vlerësim të akademik Rexhep Qosjes që e ka bërë më 1994, duke i rekomanduar Universitetit të Prishtinë ta zgjedhë Agim Vincën “Profesor ordinar”. Me atë rast, akademik Qosja, përveç vlerësimit të lartë që i bën veprës së prof. Vincës në lëmine e poezisë, kritikës, publicistikës etj., flet edhe për të veçantën e tij prej pedagogu.
Sipas prof. Qosjes, Agim Vinca “është pedagog shumëvjeçar, që konsiderohet një prej ligjëruesve më të mirë të Universitetit të Prishtinës. I dhuruar me prirje oratorike, me elokuencë të rrallë, ai dëgjohet me kënaqësi të madhe si në mësonjëtoret e Universitetit, ashtu edhe në tubimet shkencore dhe manifestimet letrare. Përkushtimi ndaj punës pedagogjike në Universitet, sjellja e zgjedhur me studentët, gatishmëria që të përgatitet për çdo ligjëratë, me një fjalë kultura e punës dhe prirja e ligjërimit, e kanë bërë atë pedagog shumë të dashur prej studentëve. Kontributi i tij për ngritjen profesionale, pedagogjike letrare dhe shkencore të brezave tonë të rinj është i madh dhe i paharruar”.
Sot, duke i dhënë titullin “Doctor Honoris Causa” (Doktor Nderi) Agim Vincës, Kolegji AAB po e vërteton atë që prof. Qosja e ka thënë para tri dekadash, se kontributi i tij (Agim Vincës) do të jetë “i paharruar”.
Për Agim Vincën si pedagog, studiues, poet, publicist, përkthyes etj. janë shkruar dhe vjersha. Një të tillë e ka shkruar edhe liriku Koçi Petriti, në të cilën gjejmë vargjet:
Ku prek Strugën Drini e del nga gjoli,
ku bën bërryl Egnatia për Ballkan
thirra Agim Vincë
e befas doli
si nosit i bardhë lasgushian.
I tillë, nosit i bardhë lasgushian, Agim Vinca është për mbarë kulturën shqiptare.
Një vlerësim, po ashtu të veçantë, e meriton edhe Kolegji AAB, i cili, duke e dekoruar sot Agim Vincën, po dëshmon seriozitetin e tij si institucion arsimor që vlerëson dhe afirmon personalitete dhe vlera që e kanë pasuruar trashëgiminë tonë shpirtërore dhe kulturore.
Urime prof. titulli “Doktor Nderi”!
Prishtinë, 17-18 maj 2024
Poshtëshënim:
Në 77-vjetorin e lindjes, Kolegji AAB e pat nderuar me titullin “Profesor Nderi” poetin, kritikun, historianin e letërsisë shqipe, përkthyesin e polemistin prof. dr. Agim Vinca. Me atë rast unë pata përgatitur këtë fjalë të shkurtër, të cilën, në vend të urimit për profesorin, po e publikoj sot, në 78-vjetorin e lindjes së tij.