
Agjencia e Akreditimit filloi procesin e monitorimit për vitin akademik 2025/2026
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), përmes Divizionit të Monitorimit, ka filluar zbatimin e procesit të monitorimit për vitin akademik 2025/2026.
Gjatë kësaj periudhe, ekipi i AKA-së do të zhvillojë vizita informuese në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, me qëllim që t’i njoftojë ato me procesin e monitorimit, në përputhje me Rregulloren e re për Monitorim, e cila ka hyrë në fuqi këtë vit.
Rregullorja është dërguar më herët tek të gjitha institucionet dhe është publikuar edhe në faqen zyrtare të AKA-së.
Këto takime informuese po organizohen gjithashtu duke u bazuar në rekomandimet e institucioneve të arsimit të lartë, të dhëna pas vlerësimit të Divizionit të Monitorimit përmes pyetësorëve të realizuar me të gjitha institucionet që kanë kaluar procesin e monitorimit.
AKA-ja ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, bashkëpunimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë në arsimin e lartë në Kosovës.