Agjencia e Metrologjisë së Kosovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me agjencitë homologe të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut
Në Ditën Botërore të Metrologjisë, Agjencia e Metrologjisë së Kosovës ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit ndërmjet Agjencive të Metrologjisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se këto marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e sektorit të metrologjisë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet tri vendeve.
Ajo theksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi modern dhe të besueshëm metrologjik, të harmonizuar me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Ministrja bëri të ditur se gjatë tre muajve të fundit janë inkorporuar direktivat evropiane që ndërlidhen me metrologjinë, përmes plotësim-ndryshimit të Ligjit për Metrologjinë dhe rregullores për mjetet matëse ligjërisht të kontrolluara.
Po ashtu, ajo njoftoi se për vitin aktual janë planifikuar investime në vlerë prej 600 mijë euro për laboratorë modernë, pajisje të avancuara dhe etalonë shtetërorë, investime që synojnë mbështetjen e industrisë, rritjen e kapaciteteve eksportuese dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Ndër investimet prioritare, ministrja Kusari-Lila përmendi edhe pajisjen me sisteme për verifikimin e radarëve inteligjentë dhe mobilë, të cilat kanë rëndësi të veçantë për sigurinë në trafik dhe forcimin e kontrollit metrologjik.
Sipas saj, Agjencia e Metrologjisë së Kosovës ka nisur gjithashtu procesin e digjitalizimit të shërbimeve, i cili përfshin aplikimin online për verifikim dhe kalibrim, shpërndarjen elektronike të certifikatave dhe raporteve, si dhe krijimin e platformave moderne për shërbime metrologjike.



