Agjencia Kadastrale e Kosovës: Nga 1 gushti pa adresë zyrtare s’ka dokumente civile

23 korrik 2025 | 13:02

Agjencia Kadastrale e Kosovës mbajti sot konferencë për media në lidhje me projektin “Ndërlidhja e qytetarit me adresën zyrtare”.

Drejtori i kësaj agjencie, Avni Ahmeti, ka njoftuar se nga 1 gusht 2025 qytetarët që nuk e kanë deklaruar adresën zyrtare nuk do të mund të pajisen me dokumente të rëndësishme, përfshirë certifikatën e lindjes dhe të pronësisë.

“E dimë që për një pjesë të madhe të njerëzve, kjo temë mund të duket thjesht administrative. Por në thelb, bëhet fjalë për shumë më tepër: për rend, për të drejta, për qasje më të lehtë në shërbime, për ndërtimin e një shteti më funksional dhe gjithëpërfshirës. Nga data 1 tetor 2024 kemi filluar zyrtarisht projektin për ndërlidhjen e qytetarit me adresën zyrtare, ku kemi bërë fushatë intensive dhe punë të palodhshme për të informuar qytetarët për rëndësinë e këtij procesi”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka theksuar se me “krenari mund të themi se janë mbi 220 mijë qytetarë që tashmë e kanë bërë deklarimin e adresës zyrtare”.

“Kjo është inkurajuese, por ende jo e mjaftueshme, sepse në një shoqëri të drejtë dhe të organizuar, secili qytetar duhet të jetë i regjistruar me adresë të saktë, ashtu siç i takon një shteti modern dhe funksional. Një qytetar pa adresë zyrtare është një qytetar i përjashtuar nga sistemi. Pa adresë të saktë, nuk mund të ketë plane zhvillimore reale, nuk mund të ketë shërbime cilësore, si nga ato administrative e deri tek ato më emergjente siç janë shërbimet ambulante, zjarrfikësit apo policia”, ka thënë ai.

Drejtori Ahmeti ka bërë me dije se deklarimi mund të bëhet fizikisht në komunë apo online përmes platformës “E-Kosova”.

“Qëllimi i kësaj konference është që t’i informojmë të gjithë qytetarët që nuk e kanë deklaruar adresën zyrtare se nga data 1 gusht e këtij viti, nuk do të mund të pajisen me dokumentet që lëshohen nga ARC-ja dhe AKK-ja. Për më tepër, pa deklarimin e adresës zyrtare, qytetarët nuk mund të pajisen me certifikatë të lindjes apo certifikatë të pronës. Për të lehtësuar këtë proces, kemi bashkëpunuar ngushtë me Agjencinë për Regjistrim Civil dhe Agjencinë Shtetërore të Informacionit, dhe kemi mundësuar që deklarimi të bëhet edhe online përmes platformës ‘E-Kosova’. Pra, përveç mënyrës duke u paraqitur fizikisht në zyrat e gjendjes civile, çdo qytetar mund ta bëjë deklarimin lehtësisht, nga telefoni apo kompjuteri i tij, në vetëm pak minuta”, ka thënë ai.

Ndërsa drejtori i Agjencisë së Regjistrit Civil (ARC), Blerim Camaj, ka thënë se të gjithë qytetarët, të cilët nuk kanë adresë të saktë do të kushtëzohen shërbimet civile nga 1 gushti.

“Të gjitha shërbimet e gjendjes civile do të kushtëzohen dhe do të ndalohen nga 1 gushti. Nuk mund të pajisen qytetarët me shërbime civile pa adresë të saktë në gjithë territorin e Kosovës”, ka thënë Camaj. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, po vazhdon të…