
Agjenti i BIA-s pranon fajësinë për spiunazh, Prokuroria propozon dënim deri në 5 vjet burg
Aleksander Vllajiq e ka pranuar fajësinë për veprën penale të spiunazhit dhe atë të armëmbajtjes pa leje, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përmes një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë të lidhur me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka propozuar që për veprën penale të spiunazhit, Vllajiq të dënohet me burgim efektiv nga 4 vjet e 6 muaj deri në 5 vjet, duke përfshirë edhe kohën e kaluar në paraburgim. Ndërsa për veprën e armëmbajtjes pa leje, është propozuar dënim me 6 muaj burg, me mundësi zëvendësimi me gjobë në shumë prej 1,000 euro.
I pandehuri paraprakisht është pajtuar me të gjitha pasojat dhe benefitet e marrëveshje, marrëveshje është bërë vullnetarisht dhe është konsultuar me mbrojtësin e tij, avokatin Lubomir Pantoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Bekim Kodraliu deklaroi se marrëveshja është arritur në përputhje me dispozitat ligjore.
Gjyqtari i çështjes ka konstatuar se janë përmbushur kushtet ligjore për pranimin e fajësisë.
Në fjalën e tij para trupit gjykues, avokati i të pandehurit, Lubomir Pantoviq, kërkoi që dënimi për veprën penale të spiunazhit të shqiptohet sipas marrëveshjes së arritur me Prokurorinë Speciale.
“Në emër të mbrojtjes, i propozoj gjykatës që për këtë vepër penale, të pandehurit t’i shqiptohet dënimi prej 4 vjetësh e 6 muaj burg, ashtu siç është paraparë me marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, deklaroi Pantoviq.
Ai theksoi se ekzistojnë rrethana të rëndësishme lehtësuese, përfshirë faktin se i pandehuri nuk ka qenë kurrë më parë i dënuar, ka bashkëpunuar plotësisht me organet e ndjekjes, si dhe ka treguar pendesë të sinqertë për veprimet e tij.
Sipas aktakuzës së ngritur më 22 maj 2025 nga Prokuroria Speciale, Vllajiq ka vepruar si bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), duke mbledhur informacione që rrezikonin rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.
Në aktakuzë thuhet se ai ka incizuar fshehurazi lëvizjet e automjeteve të Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në pjesën veriore të vendit, si dhe ka mbledhur të dhëna për qytetarë serbë të dyshuar si bashkëpunëtorë të institucioneve të sigurisë në Kosovë. Më tej, ai ka zbuluar identitetin e një zyrtari të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), të cilin e njihte nga periudha kur vetë kishte qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Me rastin e arrestimit më 26 qershor 2024 në Mitrovicë, gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tij, autoritetet kanë sekuestruar një armë të gjatë pneumatike të modelit “Cverna Zastava” dhe një sprej gaz-lotsjellës.
Avokat i të pandehurit është Lubomir Pantoviq, ndërsa prokuror i çështjes Bekim Kodraliu.
“Betimi për Drejtësi” ka publikuar aktakuzën ndaj Vlajiqit, i cili ngarkohet për spiunazh pasi kishte incizoi fshehurazi mjetet e Policisë dhe zbuloi identitetin e zyrtarit të AKI-së.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.