Agjenti i Wirtzit: Dua që ai të luajë në Real Madrid

26 shkurt 2026 | 15:52

Real Madrid ishte lidhur për një kohë me Florian Wirtz përpara se ai të transferohej te Liverpool verën e kaluar. Megjithatë, “Los Blancos” patën mundësinë të lëviznin për ish-mesfushorin e Bayer Leverkusen dhe mund ta bëjnë këtë edhe në të ardhmen.

Wirtz ishte në radarët e Real Madrid që kur shpërtheu në moshën 18-vjeçare te Leverkusen. Si pothuajse çdo klub i madh në Evropë, madrilenët e konsideruan një talent të shkëlqyer dhe skautët u kthyen të impresionuar prej tij. Megjithatë, Real Madrid përfundoi duke shpenzuar 165 milionë euro për Dean Huijsen, Trent Alexander-Arnold, Alvaro Carreras dhe Franco Mastantuono, duke i dhënë përparësi pozicioneve të tjera.

Duke folur në podcastin Phrasenmaher, agjenti i Wirtz, Volker Struth, zbuloi se kishte dëshirë që klienti i tij të ndiqte gjurmët e Toni Kroos, një tjetër lojtar që ai përfaqëson.

“Nuk kam qenë pas asnjë prej ofertave që ishin në tavolinë. Dëshira ime më e madhe do të kishte qenë ta shihja Florian te Real Madrid dhe besoj se nuk jam i vetmi. Edhe për shkak të historisë sime me Tonin dhe marrëdhënies sime me drejtuesit e Real Madrid. Mendoj se ai do të kishte qenë shumë i lumtur atje,” citohet nga Diario AS.

“Ai po ecën mjaft mirë tani te Liverpool, është një lojtar shumë i ri dhe kush e di çfarë do të ndodhë në karrierën e tij.”

Në atë kohë u raportua gjerësisht se trajneri i atëhershëm Xabi Alonso ishte i interesuar ta merrte Wirtz në “Santiago Bernabéu”, edhe pse nuk ishte prioritet. Struth konfirmoi se Alonso do ta kishte dhënë dritën jeshile për transferimin.

“Gjatë fazës kur gjërat ishin mes Bayern dhe Liverpool, kur po diskutohej transferimi, kontaktova prindërit dhe telefonova Xabin dhe i thashë: ‘Dëgjo, merre djalin. Përpiqu të flasësh me Florentino Perez.’ Përgjigjja ishte e qartë: ‘Duhet të flasësh me të’.”

Struth më pas i dërgoi këtë mesazh presidentit të Real Madrid: “I dashur Florentino, si je? Të kam thënë disa herë që kam këtu një lojtar interesant që dua ta rekomandoj.”

“Xabi do të kishte dashur ta sillte, por ndonjëherë nuk je në vendin e duhur në kohën e duhur. Atë vit ai nuk përshtatej me skuadrën, buxhetin dhe gjithçka që kjo përfshin. Arkat e Real Madrid nuk janë gjithmonë të mbushura. Por për një gjë jam i sigurt: Florian Wirtz përmirëson çdo ekip.”

Perez iu përgjigj Struthit, por ia kaloi përgjegjësinë drejtorit të përgjithshëm Jose Angel Sanchez. Agjenti gjerman thotë se më vonë mësoi që madrilenët nuk e kishin konsideruar seriozisht transferimin e Wirtz.

Në këtë rast, nuk është befasuese që Real Madrid nuk lëvizi për Wirtz. Dy vite më herët, klubi madrilen kishte investuar shumë për Jude Bellingham nga Bundesliga, duke e parë atë si mesfushorin që duhet të operojë pas sulmuesve. Ndërkohë, ardhja e Arda Guler ka shtuar edhe më shumë konkurrencën për vendet në ekip.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Legjenda e Liverpoolit dhe Borussia Dortmundit, Jurgen Klopp, pritet të…