“Agjentja Melania Trump” – Ukrainasit admirojnë Zonjën e Parë të SHBA-së për ndryshimin e Trumpit ndaj Rusisë!

15 korrik 2025 | 22:51

Melania Trump është shfaqur në mënyrë të papritur si figurë simpatike për shumë ukrainas dhe mbështetës të Ukrainës në rrjetet sociale, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili sugjeroi se Zonja e Parë ka ndikuar në qëndrimin e tij ndaj Rusisë.

Gjatë një deklarate të hënën në Shtëpinë e Bardhë, në takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump tregoi një bisedë me bashkëshorten e tij, ku ajo i kishte vënë në dukje hipokrizinë e presidentit rus Vladimir Putin.

“Bisedat me të [Putinin] janë gjithmonë shumë të këndshme. I them Melanias: pata një bisedë të mrekullueshme sot me Vladimirin. Dhe ajo më thotë: Vërtet? Ndërkohë, sapo është bombarduar një qytet tjetër ukrainas,” tregoi Trump.

Melania Trump, me origjinë sllovene dhe e rritur në ish-Jugosllavi, ka shprehur më parë një qëndrim më të ndjeshëm ndaj Ukrainës sesa bashkëshorti i saj, i cili vetëm në shkurt të këtij viti e quajti presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky “diktator”.

Në fillim të pushtimit rus më 2022, Melania bëri thirrje për mbështetje ndaj Kryqit të Kuq, duke deklaruar se ishte “shkatërruese dhe e tmerrshme të shohësh njerëz të pafajshëm të vuajnë”.

Pas deklaratave të fundit të Trump, rrjetet sociale janë mbushur me memes që paraqesin Melanian si “agjente sekrete” në shërbim të Ukrainës.

Një prej tyre, që është bërë viral, e përshkruan atë si “Agjentja Melania Trumpenko”, me një foto ku ajo shfaqet me kostum dhe kapelë që i mbulon fytyrën si të ishte duke vepruar fshehtazi në Shtëpinë e Bardhë për llogari të Kievit.

Revista Business in Ukraine shkruan se “ka shumë dashuri për Melania Trump sonte në rrjetet sociale”, duke komentuar në të njëjtën kohë lajmin se SHBA do të dërgojë sisteme raketore Patriot në Ukrainë.

Një tjetër meme e rikthyer nga e kaluara paraqet tre figura me helmeta ushtarake që i vendosin Melanias një kapelë me flamurin e Ukrainës.

Ndërsa një meme tjetër e vendos Zonjën e Parë pas Trump në Zyrën Ovale, ndërsa ai nënshkruan një dekret presidencial, me mbishkrimin: “Motrat Melania të Bene Gesserit” një referencë satirike ndaj rendit të fuqishëm femëror nga romani fantastiko-shkencor Dune i Frank Herbert.

Në rrjet, shumë përdorues e shohin Melanian si një figurë të heshtur, por që ndoshta po vepron në mënyrë indirekte për t’i sjellë SHBA-të më pranë Ukrainës, një kontekst ironik që ka kthyer Zonjën e Parë në simbol të një lloj “rezistence elegante”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident me pasojë vdekjen e një 23-vjeçari shqiptar ka…