
AGK: Akuzat dhe insinuatat e Osmanit rrezikojnë sigurinë fizike të gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka theksuar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar edhe këtë të enjte me deklarata thellësisht të papërgjegjshme për postin që mban, duke lidhur “disa gazetarë” me “Radojçiqët” dhe me “grusht-shtet”.
AGK-ja e dënon ashpër retorikën akuzese dhe nxitëse të presidentes Osmani gjatë konferencës për shtyp, pasi që ajo rrezikon direkt sigurinë fizike të gazetarëve.
“Osmani u është referuar sërish raporteve të AKI-së për të forcuar akzuat ‘për disa gazetarë’, për të cilat AGK mendon se vënë në pikpëyetje sigurinë juridike, jo vetëm të gazetarëve, por edhe të secilit qytetar të Kosovës. AGK-ja fton organet e sigurisë të deklarohen për këto akuza kaq të rënda, që shërbejnë si intimidim i hapur ndaj gazetarëve, në përpjekje për të ndaluar punën e tyre për të bërë pyetje në interes të publikut. AGK-ja e fton sërish presidenten Osmani që të heqë dorë nga praktika jodemokratike e sulmeve ndaj gazetarëve dhe medieve, dhe të luajë rolin e saj kushtetues që garanton lirinë e medias dhe shprehjes”, thuhet në reagimin e AGK-së.