
AGK dënon përjashtimin arbitrar të 6 gazetarëve nga ekrani në RTK
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se e ka pranuar me shqetësim njoftimin e 6 gazetarëve të RTK-së për largimin e tyre nga ekrani dhe emisionet që i drejtonin ata në Televizionin Publik.
AGK-ja e ka dënuar fuqishëm këtë vendim arbitrar të Menaxhmentit të RTK-së, duke thënë se paraqet një nivel të paprecedent të cenzurës në Transmetuesin Publik, teksa i ka bërë thirrje menaxhmentit të tërhiqet nga vendimi.
“AGK-ja e sheh veprimin e Menaxhmentit si ndëshkim ndaj 6 gazetarëve për punën e tyre profesionale, të pandikuar politikisht dhe për ngritjen e zërit për vonesën e pagave. Kjo është një dëshmi e re, të shqetësimit të ngritur me kohë nga AGK-ja, se Menaxhmenti aktual është vënë në shërbim të plotë të Qeverisë Kurti, dhe partisë politike në pushtet, Vetëvendosje. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e fton Menaxhmentin që ta rishikojë dhe tërheqë këtë vendim, dhe t’ua mundësojë gazetarëve dhe redaktorëve të bëjnë punën e tyre në interest të publikut, pa ndikimin e vazhdueshëm politik”, thuhet në reagim.
AGK’ja ka thënë se do të përkrahë kolegët gazetarë në të gjithë hapat që ata do të ndërmarrin për të sfiduar këtë vendim të papranueshëm dhe të ndikuar nga politika.
Ndryshe, gjashtë gazetarë dhe redaktorë të RTK’së kanë denoncuar censurën alarmante në RTK nga menaxhmenti i lidhur me pushtetin. Drejtori i RTK’së, Rilind Gërvalla, është ish-anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Përmes reagimeve që kanë ndarë në Facebook, Blerta Foniqi Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami, kanë njoftuar se të njëjtit të premten janë përjashtuar nga moderimi i emisioneve, magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00.
Sipas tyre, ata kanë marrë paralajmërime për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional. Intervista e fundit ishte realizuar pikërisht nga Blerta Foniqi Kabashi me deputeten e VV’së, Fitore Pacolli, e cila gjatë intervistës ishte lëshuar në sulme ndaj gazetares.
“Tendenca është e qartë dhe e shpërfaqur hapur. Këtë e vërteton edhe fakti i paralajmërimeve për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional”, thuhet në reagim.
Ata e kanë cilësuar këtë si vendim arbitrar dhe të paligjshëm.
“Vendimi arbitrar për ndërhyrjen në skemën programore, duke hequr tani Magazinën e orës 17:00 dhe muaj më parë Magazinën “Lajmet e fundit”, është edhe i paligjshëm, pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga Bordi, ndërsa aktualisht RTK nuk ka Bord funksional”.
Gazetarët dhe redaktorët në fjalë kanë thënë se në vazhdimësi janë përballur me presion dhe akuza të pabaza nga eprorët, por asnjëherë ata nuk kanë pranuar t’i evidentojnë ato në mënyrë elektronike.
“Andaj, ushtrimi i detyrave tona të punës është bërë i vështirë, gati i pamundur. Nisur nga këto, vendimi i fundit arbitrar ka vetëm një qëllim: heshtjen e zërit të panënshtruar dhe profesional brenda Transmetuesit Publik. Ky është një alarm shumë serioz për funksionimin e Transmetuesit Publik dhe për demokracinë në vend”, thuhet tutje në reagim.