
AGK-ja dënon ashpër qasjen e Kurtit ndaj gazetares së ‘Klan Kosovës’: E papranueshme, ton arrogant
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ndaj gjuhës së përdorur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndaj gazetares së “Klan Kosovës”, Arbëresha Uka.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënon ashpër sjelljen dhe qasjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ndaj gazetares së televizionit, ‘Klan Kosova’, Arbëresha Uka, gjatë një deklarimi publik”.
“Gazetarja Uka e ka pyetur Kurtin për mungesën e barnave në QKUK, teksa ai i është përgjigur me ton arrogant, duke i thënë ‘lej ti albuminat. Thuj pronarit tuaj, televizionit tuaj le t’ia kthejnë 62 milionë Telekomit’, është thënë në reagimin e AGK-së.
AGK-ja ka thënë se kjo është qasje e papranueshme e Kurtit ndaj gazetarëve dhe përpjekje për të minuar punën e tyre.
“Kjo është një qasje e papranueshme e Kurtit ndaj medieve dhe gazetarëve, dhe përpjekje e hapur për të minuar punën e tyre, dhe për të fshehur mungesën e transparencës së qeverisë që ai ka udhëhequr në këto vitet e fundit”, është thënë në reagim.
AGK-ja ka theksuar se “sulme si këto të Kurtit, qeverisë dhe partisë së tij, kanë kontribuar në masë të madhe që Kosova të bie drastikisht në indeksin e lirisë së medieve”.