Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar ashpër deklaratat e Albin Kurtit ndaj medieve dhe gazetarëve.
Kurti, nga foltorja e Kuvendit, ka paralajmëruar për “hyrjen e parave në mënyrë të padukshme” dhe ka thënë se dezinformimi “vjen direkt nga armiqtë”, me “argatë brenda vendit”.
AGK-ja e ka cilësuar këtë gjuhë si nxitëse dhe stigmatizuese, duke theksuar se etiketime të tilla rrezikojnë lirinë e medias.
Sipas tyre, kjo retorikë është pjesë e një fushate të vazhdueshme kundër raportimit të pavarur.
Organizata i bëri thirrje Qeverisë të ndalë presionin ndaj Radio Televizioni i Kosovës dhe të garantojë transparencë ligjore.
Reagimi i plotë i AGK-së:
AGK-ja e dënon retorikën nxitëse dhe akuzuese të kryeministrit Albin Kurti kundër mediave dhe gazetarëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit të Kosovës, këtë të enjte, për të vazhduar sulmet e tij ndaj mediave dhe gazetarëve, duke folur mes tjerash, për “hyrjen e parave në mënyrë të padukshme”.
Kryeministri në fjalën e tij ka thënë se “një qytetar i dezinformuar nuk është një qytetar i lirë, por është i manipuluar dhe, siç tregojnë raportet, ky manipulim po vjen direkt nga armiqtë tanë, por fatkeqësisht po gjejnë edhe argatin e tyre brenda vendit tonë”.
AGK-ja e dënon fuqishëm këtë retorikë nxitëse dhe akuzuese të Kurtit kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë, duke i vlerësuar ata “argatë të armiqve”. Një gjuhë e tillë është vazhdimësi e fushatave të parreshtura të Kurtit, partisë dhe Qeverisë së tij, kundër gazetarëve dhe mediave me synim minimin e raportimit të pavarur dhe të lirë.
AGK-ja e fton Qeverinë e Kosovës që të angazhohet për një proces transparent për hartimin e ligjit të ri të KPM-së me gjithëpërfshirje në diskutime, të ndalojë presionin politik ndaj Transmetuesit Publik, RTK dhe menjëherë të heqë dorë nga fushatat e organizuara të denigrimit të mediave dhe gazetarëve.
Sulmi i ri i Kurtit kundër mediave dhe gazetarëve vjen vetëm pak ditë pas vizitës së një misioni faktmbledhës të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve që konkludoi se Kosova ka shënuar rënie të vazhdueshme të lirisë së medias në vitet e fundit.