AGK-ja dhe NDI mbajnë konferencën ‘Luftimi i dezinformatave me bazë gjinore’ 

23 shkurt 2022 | 15:54

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) dhe USAID në Kosovë, në kuadër të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit, ka organizuar konferencën “Luftimi i dezinformatave me bazë gjinore”.

Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të AGK-së, ka ngritur nevojën e emërimit të grave në pozita vendimmarrëse në media në mënyrë që të luftohet gjuha mizogjiniste më me efektivitet.

“Mediat janë shpesh burim i përhapjes së gjuhës mizogjiniste, dhe ajo çfarë ne si AGK angazhohemi vazhdimisht është që në fakt ato të shërbejnë për ta denoncuar këtë gjuhë. Në këtë aspekt, do të ndihmonte shumë emërimi i më shumë grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse nëpër media, në mënyrë që lufta e përbashkët kundër gjuhës mizogjiniste të jetë më efektive”, ka thënë Rexha.

Ambasadorja Nancy Soderberg, drejtoresh e lartë rezidente e NDI-së në Kosovë, ka thënë se mizogjinia përbën një nga sfidat kryesore të hapësirës informuese në Kosovë. “Mediat kanë rol të rëndësishëm në luftimin e kësaj dukurie përmes raportimit të ndjeshëm gjinor, identifikimit të gjuhës seksiste dhe ofenduese, si dhe përmes ofrimit të mundësive dhe përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë për të gjithë”, ka thënë ajo.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se luftimi i dezinformatave me bazë gjinore nuk është një problem i ri në shoqëri, por që është prezent tash e sa vite me radhë, e që duhet të trajtohet me shumë seriozitet nga gazetarët dhe shtëpitë mediatike.

Paneli përbërës nga gazetarë, hulumtues dhe përfaqësues të organizatave së bashku me gazetarët pjesëmarrës të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit, diskutuan për problemet aktuale në media që ndërlidhen me mizogjininë online dhe dezinformimin gjinor, si dhe praktikat më të mira për zbutjen e këtyre sfidave.

Disa nga rekomandimet e dala nga konferenca janë si në vijim: Përfshirja e treguesve të tjerë identitarë përveç atyre burra dhe grua, përfshirja e grave më shumë në debate televizive, ndërmarrja e veprimeve bazuar në kontekstin aktual në Kosovë për të përmirësuar përfaqësimin dhe portretizimin e grave në media, si dhe zhvillimi i metodave për të identifikuar dhe minimizuar në mënyrë proaktive gjuhën seksiste në media.

Rekomandimet e plota së shpejti do të publikohen në platformat sociale të organizatës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luciano Spalletti ka folur për “Sky” në prag të ndeshjes…