AGK-ja: Fushatë e rëndë intimiduese e Faton Pecit kundër ‘TV Dukagjinit’, të tërhiqet urgjentisht nga akuzat
Asociacioni i Gazetareve të Kosovës (AGK), ka reaguar ndaj Faton Pecit, i cili përmes një shkrimi në “Facebook” ka hedhur akuza të rënda ndaj televizionit “Dukagjini” duke e quajtur “qendër operative të ndërmarrjes kriminale”.
AGK-ja ka kërkuar nga Peci dhe Vetëvendosje që urgjentisht të tërheqin akuzat publike ndaj televizionit dhe gazetarëve.
“Fushatë e rëndë intimiduese e Faton Pecit kundër ‘TV Dukagjini’. Kandidati i partisë politike Vetëvendosje për komunën e Mitrovicës Jugore, Faton Peci ka vazhduar sulmet e ulëta dhe të papranueshme kundër ‘TV Dukagjinit’, nëpërmjet një postimi në rrjetet e tij sociale. Duke iu kthyer ‘Exit-Pollit’ të 12 tetorit, Peci e ka quajtur mes tjerash TV Dukagjinin si ‘qendra operative e ndërmarrjes kriminale’. AGK-ja e konsideron komunikimin e Pecit si thellësisht të papërgjegjshëm, dhe akuzë me potencial shumë të rrezikshëm. Është e papranueshme që një politikan si zoti Peci të japë kualifikime kaq të rënda për një media, në kuadër të betejës politike të tij dhe partisë politike që përfaqëson.
AGK-ja kërkon nga zoti Peci dhe Vetëvendosje që urgjentisht të tërheqin akuzat publike ndaj televizionit dhe gazetarëve, pasi që ato shërbejnë si nxitje për sulme të vazhdueshme ndaj tyre. Ambienti i mediave për të bërë punën e tyre është vështirësuar shumë, për shkak të retorikës së papranueshme si kjo e zotit Peci. Mediat duhet të lihen të lira të raportojnë në të gjitha fazat e procesit zgjedhor”, është thënë në reagimin e AGK-së.



