
AGK-ja mirëpret vendimin e Gjykatës Komerciale në favor të ‘Klan Kosovës’
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë, e cila ka aprovuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve për pezullimin e certifikatës së biznesit nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Në vendimin e gjyqtarit, Arnis Dumani është thënë se “gjykata po ashtu vlerëson faktin se paditësi e ushtron funksionin e ofruesit të shërbimeve mediale audiovizuale dhe përderisa vazhdimi i ushtrimit të njëjtit funksion nuk përbën shkelje të interesit publik, gjykata në këtë rast vlerëson se mos shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese do të ishte pikërisht në kundërshtim me interesin publik dhe garancioneve që përcaktohen në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë për lirinë e mediave”.
Vendimi i Komerciales mundëson vazhdimin e operimit të punës së televizionit “Klan Kosova”, përkundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për ta mbyllur atë.
AGK-ja ka bërë me dije se do t’i monitorojë nga afër procedurat e tjera në vazhdim, me shpresën që epilogu i shpejtë do të përmbyllë këtë episod të përpjekjes së qeverisë për të minuar lirinë e medies në Kosovë.