AGK-ja: Sulmet online, kërcënimi kryesor për sigurinë e gazetarëve

15 qershor 2026 | 14:58

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka prezantuar gjetjet kryesore të lirisë së medias, sigurisë së gazetarëve dhe gjuhës së urrejtjes në Kosovë, ku është vlerësuar se gazetarët vazhdojnë të përballen me sulme, kërcënime dhe presione, veçanërisht në hapësirën digjitale.

Në këtë prezantim është ngritur shqetësimi për përkeqësimin e mjedisit për gazetarinë e pavarur. Po ashtu, në këtë prezantim është thënë se sulmet ndaj gazetarëve, gjuha e urrejtjes, polarizimi politik dhe mosfunksionimi efikas i mekanizmave ligjorë janë duke ndikuar negativisht në lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë. Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, ka thënë se siguria e gazetarëve vazhdon të cenohet në forma të ndryshme, veçanërisht në hapësirën online. “Siguria e gazetarëve vazhdon të ndodhë në forma të ndryshme, më së shumti në hapësirën online. Gjithashtu, gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve nga politika, nga qeveria dhe nga parti politike, dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon marrjen e masave. Thirrja e vazhdueshme për politikanët dhe për qeverinë është që të ndalin këto sulme dhe gjuhën publike kundër gazetarëve, sepse ata rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë e gazetarëve”, ka thënë Rexha.

Ndërsa kryetari i Komponentës së të Drejtave të Njeriut në UNMIK dhe përfaqësuesi i Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Jerome Bouyjou, ka thënë se raportet paraqesin të dhëna të bazuara në dëshmi dhe tregojnë për një mjedis gjithnjë e më pak të favorshëm për gazetarinë e pavarur. “Këto raporte na ofrojnë të dhëna të bazuara në dëshmi, jo thjesht një interpretim, por të dhëna të bazuara në dëshmi, duke na lejuar të masim zhvillimet dhe t’i vendosim ato brenda kontekstit më të gjerë të lirisë së mendimit dhe shprehjes, lirisë së medias dhe zhvillimeve të fundit në Kosovë, rajon e më gjerë. Trendet që të gjithë i dëshmojmë në baza ditore tregojnë se mund të jemi duke lëvizur drejt një mjedisi më pak të favorshëm në Kosovë për shprehjen e lirë dhe gazetarinë e pavarur. Kjo nënvizon nevojën për të intensifikuar përpjekjet dhe për t’u përqendruar në parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm. Është thelbësore që të gjitha palët e interesuara të mbeten vigjilente dhe të përkushtuara për mbrojtjen e këtyre lirive themelore”, ka deklaruar Bouyjou.

Në anën tjetër, profesori Jeton Mehmeti, i cili ka prezantuar gjetjet e raportit të monitorimit të gjuhës së urrejtjes, ka thënë se gjetja kryesore është normalizimi i komunikimit agresiv dhe stigmatizues ndaj gazetarëve. “Gjetja më e madhe ose më kryesore e këtij hulumtimi është se prania e gjuhës së urrejtjes në Kosovë nuk ekziston më aq shumë në nivelin penal, pra ashtu siç specifikohet në Kodin Penal të Kosovës, por më shumë kemi një normalizim të komunikimit agresiv dhe stigmatizues, dhe për këtë do të ofrojmë disa prej gjetjeve tona”, ka thënë ai.

Duke prezantuar rezultatet e hulumtimit, Mehmeti ka thënë se polarizimi politik dominon diskursin e dëmshëm në Kosovë. “Gjetja më e madhe dhe më kryesore është se diskursi i dëmshëm në Kosovë dominohet nga polarizimi politik. Nga këto 138 raste që kemi identifikuar, mbi 40 për qind e tyre kanë të bëjnë me diskurs politik e ideologjik, me kuptimin që aktorët e ndryshëm politikë përdorin shprehje të cilat denigrojnë njëri-tjetrin dhe përdorin shprehje të tilla, sikurse që i kemi identifikuar si shprehje ‘tradhtar’, ‘agjent i huaj’, ‘armik’ e kështu me radhë. Pra, fjalë të cilat, në vend se të diskutojnë mbi politika publike, kanë për qëllim të demonizojnë dhe të delegjitimojnë personin tjetër dhe të mos flitet për politika publike”, ka thënë Mehmeti, duke shtuar se raporti ka evidentuar edhe intensifikim të sulmeve ndaj gazetarëve.

“Gjetja tjetër të cilën e nxjerr raporti ka të bëjë me një gjuhë të intensifikuar të sulmeve ndaj gazetarëve. Dhe kjo mbase është gjetja më e rëndësishme në kuptimin e impaktit që mund të ketë për institucionin e gazetarisë. Aty kemi hasur në shprehje, në diskutime dhe në debate, të cilat u referohen gazetarëve me terma të ndryshëm si ‘mercenarë’, ‘të paguar’, ‘të sponsorizuar’, ‘marrin çanta me para’ e kështu me radhë. Shprehje këto të cilat, gjatë këtij tremujori që kemi, implikojnë dhe ndihmojnë në forcimin e narrativave të ndryshme që gazetarët duhet të shihen me sy të dyshimtë. Dhe kjo është shumë e rrezikshme për demokracinë, sepse, siç e thashë, impakti shkon përtej individit si gazetar, por te institucioni i gazetarisë”, ka thënë ai.

Më tutje, Mehmeti ka thënë se raporti ka evidentuar edhe diskurs të dëmshëm ndaj grave, komuniteteve pakicë dhe grupeve të tjera, si dhe rritje të teorive konspirative. “Gjetja e tretë ka të bëjë me diskursin e dëmshëm ndaj grave, komuniteteve pakicë dhe grupeve të tjera. Këtu kemi parë shprehje të cilat figurat politike i reduktojnë me identitetin e tyre gjinor. Dhe gjetja e fundit ka të bëjë me rritjen e një mase të madhe të teorive konspirative dhe përdorimin e inteligjencës artificiale”, ka thënë ai.

Kurse menaxherja e programit në Lëvizjen FOL, Burbuqe Kastrati, ka thënë se siguria e gazetarëve vazhdon të mbetet e brishtë. “Gjetjet kryesore të raportit janë se siguria e gazetarëve në Kosovë vazhdimisht vazhdon të mbetet e brishtë, edhe pse format e kërcënimeve kanë ndryshuar ndër vite. Po flas që, në kuadër të këtij raporti kemi bërë edhe një analizë retrospektive, pra përpos periudhës të cilën e kemi pasur janar–maj 2026, kemi shtuar edhe një analizë retrospektive duke marrë parasysh periudhën 2021–2025, ku kemi parë që sulmet, kërcënimet dhe format e tjera të presionit ndaj gazetarëve kanë qenë sigurisht të pranishme, por që krahas këtyre incidenteve, të cilat zakonisht janë tradicionale, çka ka ndodhur në terren, vitet e fundit e ka karakterizuar rritja e kërcënimeve online. Pra, fushatat online dhe sulmet në hapësirën digjitale janë ato që më së shumti karakterizohen dhe kërcënojnë lirinë e mediave në vend, e mbi të gjitha sigurinë e gazetarëve”, ka thënë ajo.

Kastrati ka thënë se vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026 janë raportuar po aq raste sa gjatë gjithë vitit 2025. “Të dhënat e raportit të ardhura nga institucionet, nga Policia dhe Prokuroria e Shtetit tregojnë që vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026 janë raportuar nëntë sulme fizike dhe jo fizike nga gazetarët në Kosovë. Ky është i njëjti numër i rasteve sa është raportuar gjatë tërë vitit 2025. Pra, i njëjti numër në total ka qenë numri i përgjithshëm i raportimeve gjatë vitit 2025, kurse në këtë vit që jemi, pra 2026, tani kemi nëntë raste në total nga periudha janar–maj”, ka thënë ajo.

Duke folur për zhvillimet ligjore që ndikojnë në lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve, Yll Zekaj ka thënë se problem mbetet zbatimi i ligjit dhe trajtimi i padive SLAPP. “Nuk funksionon as zbatimi i ligjit. Vazhdon të jetë numri i madh i rasteve nëpër gjykata, vazhdojnë të jenë të zgjatura këto procedura, përkundër që Këshilli Gjyqësor ka arritur që, në kuadër të strategjisë për trajtimin e lëndëve të vjetra, por ju thashë gjithashtu se paditë SLAPP duhet të trajtohen me urgjencë. Ajo çka duhet të bëhet, besoj edhe që e kemi ngritur edhe përmes AGK-së në Këshillin Gjyqësor, është që paditë SLAPP duhet të marrin përgjigje me trajtim të hershëm. Të shqyrtohen në fazën e parë dhe jo pastaj të njihet kjo në fund, që e zgjat shqyrtimin gjyqësor dhe pastaj të vërtetohet që është një padi SLAPP”, ka thënë Zekaj.

Getoarbë Mulliqi, e cila ka prezantuar gjetjet e Indeksit të Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve 2025, ka thënë se shqetësimi kryesor lidhet me kushtet në të cilat punojnë mediat në Kosovë. “Në çfarë kushtesh punojnë këto media? A mund të raportojnë këto media pa frikë? A kanë qasje në informata publike? A trajtohen si partnerë në interes publik apo trajtohen si kundërshtarë? A mbrohen kur sulmohen? A respektohen kur kritikojnë? Prej këtu fillon shqetësimi ynë kryesor”, ka pyetur ajo.

Mulliqi ka thënë se Kosova po largohet nga vendet që kanë shënuar përmirësim në lirinë e medias dhe po afrohet me vende ku mjedisi medial është më i tensionuar.

“Të gjeturat e këtij raporti tregojnë se Kosova nuk është në fund të rajonit, por as nuk është aty ku do të duhej të ishte. Kosova ka ngelur diku në mes. Mirëpo, ajo që e bën këtë vit raportues veçanërisht shqetësues nuk është vetëm pozicioni në mes, por është drejtimi i lëvizjes. Kosova po largohet nga grupi i vendeve që kanë shënuar më shumë stabilitet apo përmirësim në fushën e lirisë së medias, siç janë Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia. Po afrohet më shumë me një grup vendesh ku mjedisi medial është më i tensionuar, më i polarizuar dhe më i pasigurt, si Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Shqipëria. Ky është mesazhi më i rëndësishëm i këtij raporti. Problemi nuk është vetëm ku jemi sot, por edhe nga po shkojmë”, ka thënë Mulliqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Tunizisë ka vendosur t’i japë fund bashkëpunimit me…