Agon Xhaka i jep fund aventurës te Malisheva, karrierën e vazhdon në Superligën e Kosovës
Pas pesë vitesh të mbushura me përkushtim, sakrificë dhe suksese, Agon Xhaka i ka dhënë fund qëndrimit të tij te FC Malisheva.
Mesfushori ka konfirmuar largimin përmes një mesazhi emocional, ku falënderoi drejtuesit e klubit, stafin teknik, bashkëlojtarët, punëtorët dhe tifozët për mbështetjen gjatë gjithë kësaj periudhe.
“Largohem me zemër plot mirënjohje dhe krenar për gjithçka që kemi arritur së bashku. FC Malisheva do të mbetet gjithmonë një pjesë e veçantë e jetës dhe karrierës sime”, shkroi Xhaka në mesazhin e tij të lamtumirës.
Sipas burimeve të afërta me lojtarin, Agon Xhaka nuk do të largohet nga futbolli kosovar. Ai pritet ta vazhdojë karrierën në Superligën e Kosovës, ndërsa zyrtarizimi te klubi i ri pritet të ndodhë në ditët në vijim.
Pas pesë sezoneve me fanellën e Malishevës, Xhaka mbyll një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij dhe është gati për një sfidë të re në elitën e futbollit kosovar.
Njoftimi i plotë i Xhakës:
Pas pesë vitesh të mbushura me punë, sakrificë, emocione dhe kujtime të paharrueshme, ka ardhur momenti të mbyll kapitullin tim me FC Malisheva.
Dua të falënderoj nga zemra drejtuesit e klubit për besimin që më kanë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve, stafin teknik për përkushtimin, bashkëlojtarët me të cilët ndamë sfida, fitore dhe momente që do t’i kujtoj gjithmonë, si dhe çdo punëtor të klubit që ishte pjesë e këtij rrugëtimi.
Një falënderim i veçantë shkon për tifozët e FC Malishevës. Mbështetja, dashuria dhe besimi juaj kanë qenë motivim në çdo ndeshje. Ishte nder dhe krenari të mbroja ngjyrat e këtij klubi për pesë vite.
Largohem me zemër plot mirënjohje dhe krenar për gjithçka që kemi arritur së bashku. FC Malisheva do të mbetet gjithmonë një pjesë e veçantë e jetës dhe karrierës sime.
Ju faleminderit për gjithçka! Ju uroj suksese të mëdha në të ardhmen.
Me respekt,
Agon Xhaka



