Agron Kuçi i AAK-së denoncon kërcënimet me jetë pas denoncimit të keqpërdorimeve zgjedhore në Junik

18 tetor 2025 | 20:43

Kandidati për kryetar të Junikut nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Agron Kuçi, ka deklaruar se është përballur me kërcënime me jetë pas denoncimeve publike për, siç thotë ai, skandale dhe keqpërdorime zgjedhore në këtë komunë.

Kuçi përmes një postimi në rrjetin social Faceboo ka thënë se pas publikimit të fakteve dhe dëshmive për manipulime me listat e votuesve dhe ndërrime të vendbanimeve, është bërë objekt i tentativave për frikësim dhe shantazh.

“Pas denoncimit publik të skandaleve dhe keqpërdorimeve zgjedhore të ndodhura në komunën tonë, të kryera nga individë e grupe që nuk ia duan të mirën Junikut, sot jam përballur me një tjetër akt të ulët – kërcënime me jetë dhe tentativa për frikësim e shantazh,” ka thënë Kuçi.

Ai ka theksuar se njëri prej personave që e ka kërcënuar, sipas tij, është një militant i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe zyrtar komunal. Kuçi thotë se rasti tashmë është paraqitur në organet kompetente.

“Përveç tentativave përmes personave që kanë ardhur në shtëpinë time, duke kërkuar të tërhiqem nga demaskimi i manipulimeve me vendbanime dhe listat e votuesve, sot kam pranuar edhe kërcënime të drejtpërdrejta me jetë nga, A.M militant i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i cili është gjithashtu zyrtar komunal”.

“Edhe gjatë fushatës ka pasur kërcënime indirekte nga aktivistë të kësaj partie, por i kam injoruar për të ruajtur qetësinë në Junik dhe për të mos e dëmtuar procesin zgjedhor. Megjithatë, kërcënime si këto të sotit nuk mund t’i injoroj, prandaj rastin e kam paraqitur në organet kompetente.Ata që mashtruan e shpifën, që blenë vota me shuma të mëdha dhe kontrabanduan votues nga komuna të tjera përmes ndërrimit të vendbanimeve, tani, pasi janë zbuluar dhe ballafaquar me fakte e dëshmi, po përpiqen ta heshtin të vërtetën me kërcënime e presione.Kjo është fytyra e një kaste politike që, për pushtet, nuk njeh kufij moralë, ligjorë, e as njerëzorë” ka shkruar ai.

Kuçi ka shtuar se nuk do të ndalet në përpjekjet e tij për të “thënë dhe mbrojtur të vërtetën”, pavarësisht presioneve.

“Por dua t’i siguroj të gjithë se as nuk frikësohem, as nuk zbrapsem. Me kërcënime të tilla jam përballur edhe nga regjimi i atëhershëm, por as atëherë nuk jam përkulur dhe as sot nuk do të përkulem. Do të vazhdoj ta them dhe ta mbroj të vërtetën, të punoj për të drejtën, dinjitetin dhe të ardhmen e Junikut dhe të junikasëve. Sepse Juniku meriton drejtësi, jo frikë. Meriton dinjitet, jo kërcënime. Meriton zhvillim, jo korrupsion të fshehur pas pushtetit. Meritron punë të sinqertë, JO MASHTRIM”, ka thënë ai.

Reagimi i plotë:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka filluar numërimi i votave të deçanasve nga diaspora, të…