Ahengun në Gjakovë e ndërpret policia, 70 pjesëmarrës i dënon

31 korrik 2020 | 00:08

Ka një javë që Kosova kryeson në listën e vendeve më të rrezikuara në Ballkan sa i përket gjendjes së rëndë epidemiologjike. Por, pavarësisht gjendjes së saj të rëndë me pandeminë e kushteve shumë të vogla të përballjes me të, në Gjakovë sonte është organizuar një aheng me rreth 70 pjesëmarrës e gëzimin e tyre e ka ndërprerë Policia e Kosovës, e cila, sapo është njoftuar për këtë organizim, ka dalë në vend të ngjarjes.

Drejtori Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, ka njoftuar se pronari i ahengut është shoqëruar në polici, ndërsa janë gjobitur familjarët dhe këngëtarët që kanë performuar. “Kemi marrë informacion se është organizuar një aheng në një familje në fshatin Rogovë të Gjakovës. Kanë qenë rreth 70 të ftuar, të cilët janë shpërndarë nga policia.  Me urdhër të prokurorit, pronari i ahengut është shoqëruar në stacion policor. Inspektorët kanë shqiptuar gjoba për familjarët që e kanë organizuar ahengun dhe sigurisht për këngëtarët që kanë përformuar”, ka thënë Graishta.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një vendim që përfshin 25 masa kundër përhapjes së koronavirusit. Një nga këto masa është ndalimi i të gjitha tubimeve publike, duke përfshirë ahengjet familjare private.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte rreth orës 19:00 ka ndërruar jetë një grua e…