Ahmet Çalık dekorohet me Urdhrin e Lindjes së Diellit të Japonisë

31 korrik 2019 | 20:12

Në emër të Lartmadhërisë së Tij, Perandorit të Japonisë, Ambasadori Akio Miyajima i dorëzoi Kryetarit të Bordit të Çalık Holding, Z. Ahmet Çalık, Urdhrin e Lindjes së Diellit, Medaljen me Rreze të Arta. Çmimi Perandorak u akordua me motivacionin “për njohjen e kontributeve të çmueshme të z. Çalık në forcimin e marrëdhënies midis Turqisë dhe Japonisë”.

Ahmet Çalık, kryetari i bordit të Çalık Holding, u nderua me Urdhrin e Lindjes së Diellit për dhënien e kontributeve të çmueshme në forcimin e marrëdhënies ekonomike midis Turqisë dhe Japonisë. Dekorimi u zhvillua gjatë një ceremonie organizuar në emër të Lartmadhërisë së Tij, Perandorit të Japonisë. Medalja me Rreze të Arta është urdhri i tretë më i lartë i dhuruar nga qeveria japoneze, si dhe urdhri më i lartë i dhuruar zakonisht.

Në fjalën e tij, Ambasadori Miyajima, si përfaqësues i qeverisë së Japonisë, vlerësoi guximin e Ahmet Çalık si biznesmen i suksesshëm, duke nënvizuar nderin dhe lumturinë e madhe për vlerësimin  me Çmimin Perandorak.

Nga ana tjetër, vetë Kryetari i Bordit të Çalık Holding, Ahmet Çalık, tha se ky çmim ishte rezultat i një bashkëpunimi më shumë se 30 vjeçar me japonezët.

“Sinqerisht duhet të theksoj  se, ndërsa njihem gjithnjë e më shumë me kulturën dhe botën japoneze të biznesit, e cila bazohet në njohuri, disiplinë, integritet dhe respekt të ndërsjellë; dashuria ime, respekti dhe admirimi për këtë vend dhe popullin e tij rriten gjithnjë e më shumë. Padyshim, miqtë e mi japonezë, me të cilët ne bashkëpunojmë kanë kontribuar shumë në dhënien e këtij Urdhri prestigjioz. Ky çmim është në fakt një tregues i suksesit të bashkëpunimit turko-japonez që ne kemi arritur në vende të ndryshme të botës.

Dëshiroj të theksoj edhe njëherë, se siç ka ndodhur deri më tani, do të bëj çdo përpjekje për të përmirësuar më tej marrëdhëniet ekonomike, shoqërore dhe kulturore mes këtyre dy kombeve miq, të cilët  megjithëse ndodhen në dy skajet e Azisë dhe gjeografikisht të largëta nga njëri-tjetri, janë shumë afër sa i takon kulturave”.

Z.Çalık gjithashtu shtoi në fjalën e tij: “Dua të shpreh edhe njëherë mirënjohjen time të përzemërt për Lartmadhërinë e Tij, Perandorin e Japonisë, për të gjithë miqtë e mi japonezë, veçanërisht për Ambasadorin,  Shkëlqesinë e Tij Akio Miyajima, për kolegët dhe familjen time, të cilët kanë kontribuar në dhënien e këtij Urdhri”./gazeta shqip/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani, ka ripërsëritur qëndrimin e…