Ahmeti e njofton zyrtarin amerikan për veprimet destabilizuese të Serbisë
Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Kreshnik Ahmeti, ka pritur në takim zëvendësdrejtorin për Evropën Jugore dhe Qendrore (SCE) në Departamentin e Shtetit të ShBA-së, Lyn Debevoise.
Në këtë takim, Ahemti e ka njoftuar zyrtarin amerikan për veprimet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim dhe për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Gjatë takimit, Zëvendësministri Ahmeti u njoftua me prioritetet e SCE për Kosovën dhe rajonin, ndërsa theksoi progresin e arritur dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, veçanërisht në fushat e diplomacisë, ekonomisë dhe mbrojtjes. Ai gjithashtu informoi z. Debevoise për shqetësimet lidhur me veprimet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, si dhe për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, ka njoftuar MPJD-ja.
Në takim është vlerësuar angazhimi i përbashkët për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Zëvendësministri Ahmeti dhe zëvendësdrejtori Debevoise kanë ripohuar se Kosova dhe SHBA-ja ndajnë prioritete të përbashkëta në forcimin e stabilitetit rajonal, promovimin e vlerave demokratike dhe thellimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, duke u mbështetur mbi miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve.



