Ahmeti Isufi i AAK-së i bindur se demarkacioni nuk kalon

05 janar 2018 | 20:31

Kuvendi i Kosovës në vitin 2018 do të ballafaqohet me tema të mëdha dhe sfiduese, siç janë Demarkacioni me Malin e Zi, Shfuqizimi i Gjykatës Speciale, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe transformimi i Forcave të Armatosura të Kosovës në Ushtri.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, në emisionin “Imazhi i ditës” në “RTK” është shprehur optimist se ‘temat e mëdha’ do të kryhen në një afat sa më të shpejtë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

“Fakti se këto tema janë bartur edhe në vitin 2018 dhe kanë kaluar vite me këto tema, është një tregues se duhet përkushtim jashtëzakonisht i madh që brenda periudhës sa më të shkurtër të gjashtëmujorit të parë të kryhen ato, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të shohin një dinamikë ndryshe të funksionimit të institucioneve dhe një përgjegjësi më të lartë të përfaqësuesve të institucioneve”, ka theksuar Isufi.

Ai ka thënë se duhet një unifikim i skenës politike për këto tema, që janë shumë të rëndësishme, por edhe të ndjeshme.

“Këto janë tema që janë zvarritur deri tani dhe kanë nevojë për një përgjigje të drejtpërdrejt dhe në një afat sa më të shkurtër. Nuk është më koha që të improvizojmë as të bëjmë kalkulime të ngushta politike, të cilat mund t’i ndalin këto procese.Përkundrazi, tani duhet shikuar interesi nacional i vendit, duhet një gatishmëri për unifikim të qëndrimeve të partive politike. Duke parë synimet e shtetit i cili dëshiron të jetë pjesë e integruar e Bashkimit Evropian, atëherë duhet përmbushur të gjitha obligimet para qytetarëve të Kosovës dhe para Bashkësisë Ndërkombëtare, për çka jemi zotuar se do të mund t’ia arrijmë”, ka shtuar Isufi.

Megjithatë, ai nuk pret që të votohet nga deputetët versioni aktual i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.
“Me rastin e Demarkacionit i është bërë një padrejtësi Kosovës, sepse asnjë shteti në Ballkan nuk i është kërkuar një kriter i tillë dhe kjo a me fajin e vendorëve a ndërkombëtarëve nuk e di, por është fakt që nuk është dashur të jetë si kriter sepse shumë shtete të cilat kanë hyrë në Bashkimin Evropian nuk e kanë kryer obligimin e tyre për demarkimin e kufijve ”, ka nënvizuar nënkryetar i AAK-së, i cili është i bindur se kjo marrëveshje nuk do të kalojë si e tillë, pasi nuk i ka votat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e ka kryer obligimin me demarkacionin duke e proceduar…