
Ahmeti kritikon politikanët për mosarritjen e kompromisit për pakon ekonomike
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se shumë qytetarë janë duke pyetur se kur do t’i marrin 170 eurot e premtuara nga qeveria.
Në këtë kontekst, ai është shprehur kritik ndaj politikanëve të cilët nuk janë duke arritur ta gjejnë kompromisin për miratimin e pakos emergjente ekonomike.
“Me rëndësi, pagat po ju ecin. Por si krejt politikanët, një ditë kemi me ec prej shpije e s’ka me iu dëgjuar askush. Qysh jeni tu vepruar, po shpresoj që qajo ditë vjen më shpejtë”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Ahmetit:
E lus çdo politikan me ndërgjegje, Qeverinë e Kuvendin, e partitë politike që veç ta mendojnë se ka shumë njerëz që po mendojnë se kur kanë me i marr 170 euro për me i paguar një pjesë të borxheve.
Ka shumë biznese që po presin se kur ka me pas një ndihmë për me mbijetuar ekonomikisht familja, e shumë të tjerë që po mendojnë për shpenzimet shëndetësore, pagesën e rrymës, e datën e kestit të kredisë.
Këtë, posaçërisht ju lus ta mendoni kur i humbni më shumë se tetë orë në ditë tu kyçur qysh me ia lëshuar një kunxh partisë tjetër për me tregu qysh ju e keni pas mirë e ata keq.
Më falni, por nuk ka kurrfarë arsyetimi me u vonuar diskutimi dhe vendimi për pako ekonomike. Ky Kuvend nuk ish deshtë me dal prej sallës deri ta arrin kompromisin për një pako substanciale ekonomike. Ditë e natë. Kur nuk merren vesh për 62 milionë marrëveshje me institucionet financiare ndërkombëtare, sinjali është që gjasat me kaluar pako prej 1.2 miliard janë minimale.
Me rëndësi, pagat po ju ecin. Por si krejt politikanët, një ditë kemi me ec prej shpije e s’ka me iu dëgjuar askush. Qysh jeni tu vepruar, po shpresoj që qajo ditë vjen më shpejtë.