Ahmeti: Kryeministri mendon që kur ai e cilëson dikë si kriminel prokuroria duhet të veprojë

14 qershor 2023 | 12:21

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj kritikave të Kurtit për prokurorinë, në lidhje me grupet kriminale në veri.

Kurti e ka kritikuar Prokurorinë e Kosovës se nuk po ndërmarrin veprime për situatën e tensionuar në veri dhe sulmet nga grupet kriminale.

Ai ka thënë se ka fotografi e video që dëshmojnë se cilët persona janë të përfshirë.

“Nuk e kuptoj orokurorinë tonë të shtetit, nuk e kuptoj si është e mundur që përkundër qindra fotografive e video-xhirimeve, denoncimeve me emër e mbiemër të atyre personave, nuk ka veprime nga Prokuroria. Është përsëritje e situatës së dhjetorit të kaluar, ku për 3 javë barrikada, asnjë aktakuzë. Tash më 26 dhe më 29 maj nuk shohim veprime të Prokurorisë. Andaj për mua mbetet e pakuptimtë si është e mundshme të ketë këso lloj pasivitetit të prokurorisë së shtetit ndaj këtyre krimeve. Një numër i konsiderueshëm i këtyre ekstremistëve të dhunshëm, edhe kanë qenë në burg më herët. Njësitet Speciale janë aty për shkak të ekstremistëve të dhunshëm e grupeve kriminale. Në mënyrë graduale në përputhje me vlerësimet e sigurisë, do të mund të zvogëlonim atë prani. Hapi i parë sundimi ligjit”, ka thënë Kurti të martën në një konferencë për medie.

Shpend Ahmeti ka reaguar ndaj kësaj deklarate kritikuese të Kurtit, duke thënë se kryeministri mendon se kur ai e cilëson dikë si kriminel me emër e mbiemër prokuroria duhet të veprojë.

Ahmeti ka thënë se kush pajtohet me këtë nuk e kupton demokracinë.

“Kur kryeministri thotë se i ka përmend kriminelët me emër e mbiemër e prokuroria nuk ka vepruar i bie që kryeministri mendon që kur ai e cilëson dikë si kriminel me emër e mbiemër prokuroria duhet me vepruar. Kush pajtohet me këtë ose nuk e kupton ose nuk e pëlqen demokracinë”, ka shkruar Ahmeti në “Twitter”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se…