Ahmeti: Kurtin e kam vëlla, ndërhyrja në zgjedhje s’është mirë për Kosovën

23 prill 2024 | 11:32

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e ka vlerësuar si të dëmshme për Kosovën përfshirjen e Albin Kurtit në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut.

Ai ka bërë me dije se këto veprime ndikojnë në raportet në mes të dy shteteve, raporton Nacionale.

Në një intervistë për emisionin “ClickPlus” të “RTV21 Maqedonia”, ai ka thënë se në këtë kohë Kosovën i duhet aleatë.

“Kjo çështje nuk është mirë për Kosovën. Se për Maqedoni nuk e di se çfarë efekti do të ketë kjo. Edhe pse z. Kurti deklaroj publikisht që ai nuk garon në Maqedoni, sepse nuk është i regjistruar, por eksponentë të tij janë të angazhuar drejtpërdrejt. Qoftë e vërtetë apo e pavërtetë ndërhyrja nuk i bën mirë shëndetit të Kosovës. Kosovës i duhen miq, Kosovës i duhen njerëz të mirë, Kosovën i duhet mbështetje në qendrat ndërkombëtare”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka treguar se Republikës së Kosovës i duhet Republika e Maqedonisë së Veriut.

Sipas Ahmetit, kjo qasje e Kurtit po iu krijon probleme shqiptarëve në Maqedoni.

“Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e NATO-s, është anëtare e te gjitha institucioneve ndërkombëtare, nga OKB-ja e deri në Këshill të Evropës. Është në prag të negociatave për kapitullin e parë për anëtarësim në BE. Dhe Kosovës i duhet Maqedonia dhe nuk i duhet të krijojë pakënaqësi, revoltë, se na hap probleme e telashe edhe neve. Sepse ne kemi punuar këtu me deputetët maqedonas (për Këshillin e Evropës)”.

“Deputetë e VMRO-së nuk kanë shkuar fare, deputeti e LSDMS dhe i BDI-së kanë votuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Dhe fjalimin më të mirë dhe përmbajtjesor e ka pasë Arta Bilalli në Këshill të Evropës. Pa asnjë dozë rezerve edhe deputeti i LSDM-së ka votuar për anëtarësimin e Kosovës”, është shprehur Ahmeti.

Pavarësisht rivalitetit politik që kryeministri i Kosovës po i bën atij në Maqedoni, Ahmeti ka thënë se Albin Kurti e ka vëlla dhe jo armik.

“Unë nuk e kam armik, kam deklaruar jo një herë, unë e kam vëlla”, është shprehur Ahmeti, duke treguar se disa herë e ka pritur me zyrat e BDI-së.

Ahmeti ka treguar se ka miq në të gjitha partitë politike në Kosovë, por asnjëherë nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë.

“Unë e kam pritur si vëlla, jo një herë, disa herë në zyrat e BDI-së, me orë të tëra. Unë kam shumë shokë në Vetëvendosje. Kam shokë nëpër të gjitha partitë politike në Kosovë. Dhe asnjëherë nuk jam angazhuar për njërin ose për tjetrin. Sepse mua dhe neve ne Maqedoni na duhet raporte të mira me shtetin e Kosovës, pavarësisht që thonë se ka ardhë PDK-ja e ka ndihmuar, jo ka ardhe AAK-ja e ka ndihmuar”, është shprehur Ahmeti.

Ai ka mohuar që ndonjëherë zyrtarët e PDK-së e kanë ndihmuar atë në zgjedhje në Maqedonisë.

“Me ardhur drejtpërdrejt të angazhohen në Bashkimin Demokratik për Integrim nuk kanë qenë këtu. Nëse ke një fakt se dikush nga PDK-ja ka dal dhe ka bë fushatë për BDI-në”, ka thënë Ahmeti.

Ndër të tjera, Ahmeti ka thënë se opozita shqiptare në Maqedoni, të cilën e mbështet Kurti, e dëshiron vetëm rrënimin e BDI-së.

“Unë e kam moton: jo Rusisë, po Evropës. Ata e kanë moton: të rrënojmë Bashkimin Demokratik për Integrim. Ju populli vendosin, a do votoni për ata që rrënojnë BDI-në apo do votoni për ta që i thonë jo Rusisë dhe po Evropës. Ju vendosni”, është shprehur Ahmeti.

Nga fillimi i fushatës zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, përfshirja e Qeverisë së Kosovës ka qenë evidente. Gjatë fushatës zgjedhore, kryeparlamenatri Glauk Konjufca dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë marrë pjesë në disa tubime zgjedhore në Maqedoni, duke e mbështetur koalicionin VLEN, i cili është rivali kryesore i koalicionit të Ali Ahmetit.

Madje, në një tubim zgjedhor të VLEN-it në diasporë ishte planifikuar të merrte pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Por, në momente të fundit pjesëmarrje e Kurtit ishte anuluar. Në këtë tubim ishte lexuar vetëm një fjalim i kryeministrit të Kosovës.

Pas këtij tubimi, që ishte mbajtur në Zvicër, liderët e koalicionit VLEN kishin zbritur në Prishtinë për të takuar kryeministrin Albin Kurti në zyrat e Qeverisë së Kosovës.

Kandidati për president i këtij koalicioni, Arben Taravari, pas takimit kishte vlerësuar se mbështetja e Albin Kurti dhe Qeverisë së Kosovës për koalicionin VLEN ka qenë e parezervë.

Ndërhyrja e Kurtit në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut është kritikuar ashpër edhe nga opozita kosovare. Sipas tyre, kjo ndërhyrje është e paprecedent.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Interi festoi mbrëmjen e djeshme titullin e 20-të në Seria…