
Ahmeti në protestë: Lufta e UÇK-së ishte vetëm dhe vetëm çlirim, nuk ishte tradhtare e as terroriste
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, përveç që mori pjesë në protestën e 7 gushtit në Prishtinë, të organizuar nga OVL-UÇK-ja, mbajti edhe një fjalim, ku ndër të tjera u shpreh se UÇK-ja asnjëherë nuk është marrë me të pafajshmit, asnjëherë nuk ka vrarë fëmijë e pleq, se lufta e saj ishte çlirim dhe se UÇK-ja nuk është kundër asnjë populli në Kosovë.
“Shqiptarët nga të gjitha anët, nga Struga, nga Gostivari, Shkupi, Kumanova, vërshonin rrugët me pjesëmarrjen në këtë protestë për drejtësi. Vendi ynë i bashkuar si një trup i vetëm, por neve na është rrezikuar nderi dhe dinjiteti, prandaj sot si një tru jemi këtu për të kërkuar liri për çlirimtarët që po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale. Që nga viti 1994, kur filloi t’i komunikojë qëllimet e saj, UÇK i është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Gjenevës. Ajo asnjëherë nuk është marrë me të pafajshmit, asnjëherë nuk ka vrarë fëmijë e pleq. Lufta e saj ishte vetëm dhe vetëm çlirim. Lufta e saj nuk është kundër asnjë populli, asnjë etnie në Kosovë. Nuk është luftë tradhtare e as terroriste. UÇK me udhëheqësit e saj sollën ndryshime pozitive gjeostrategjike duke e sjellë Perëndimin, Amerikën dhe Evropën në Ballkan”, tha Ahmeti.