Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar lidhur me debatin për funksionimin e Trafikut Urban dhe efektet që kanë vendimet komunale në financat e ndërmarrjes publike. Në një shkrim të gjatë, Ahmeti ka rikujtuar modelin financiar të transportit publik që, sipas tij, është ndërtuar gjatë mandatit të tij dhe është funksional vetëm nëse respektohet në tërësi.
Ahmeti ka theksuar se për të siguruar kredinë për 51 autobusët e rinj, ishte e domosdoshme që Trafiku Urban të garantonte të hyra të mjaftueshme për shlyerjen e kredisë. Për këtë arsye, ai thotë se është ndërtuar modeli ku Komuna e Prishtinës paguan shërbimin e transportit publik për çdo kilometër të realizuar, pavarësisht fitimit apo numrit të udhëtarëve.
Sipas tij, transporti publik është interes publik dhe linjat që nuk sjellin profit, si ato në zonat rurale të Gollakut, kanë vlerë shërbimi për komunitetin. “Aty ku Trafiku Urban nuk ka interes financiar, komuna ka interes publik”, ka theksuar ai.
Ish-kryetari ka shpjeguar se llogaritja bazohet në një formulë të qartë: kostoja për kilometër minus të hyrat nga biletat përkthehet në faturën mujore që i paguhet ndërmarrjes nga komuna. Prandaj, sipas tij, deklaratat se lirimi nga pagesa nuk ndikon në financat, janë të pavërteta.
“Ne kemi liruar pensionistët nga pagesa, por për secilin prej tyre komuna ka paguar. Nuk mund të ketë lirime pa mbulim financiar. Nuk mund të lirosh në fushatë dhe tre ditë më pas të mbetesh pa të holla”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka shtuar se transport publik pa subvencionim nuk ekziston në asnjë qytet modern, duke theksuar se linjat edhe me vetëm dy udhëtarë janë të domosdoshme për të nxitur qytetarët të përdorin autobusët, e jo veturat.
Ahmeti ka rikujtuar se modeli i krijuar në Prishtinë është përdorur si shembull nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila ka lënë të gatshme edhe një marrëveshje për 30 autobusë të tjerë, përfshirë 8 elektrikë, bazuar në performancën e kredisë së parë.
“Dëmi është i madh për qytetarët. Faji është jetim. Përgjegjësia është e përbashkët. Lehtë është me prish, vështirë është me ndreq diçka”, ka përmbyllur Ahmeti.



