Ahmeti u dërgon letër të hapur partnerëve ndërkombëtarë për zhvillimet politike në Maqedoni të Veriut

09 prill 2026 | 14:47

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka njoftuar se kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti u ka dërguar një letër të hapur partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë lidhur me zhvillimet e fundit politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit, letra e cila mban datën e  3 prillit i është përcjellë jo vetëm opinionit vendor dhe ndërkombëtar, por edhe ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituar në vend, si dhe liderëve botërorë dhe personaliteteve të njohura ndërkombëtare.

Në hyrje të saj, Ahmeti ka theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të BDI-së për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit, ndërtimin e një shteti demokratik dhe multietnik, si dhe avancimin e integrimit euroatlantik të vendit.

Ai ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit politike, të cilat, sipas tij, rrezikojnë këto arritje. Në veçanti, në këtë letër është përmendur heqja e mekanizmit të balancuesit për përfaqësim të drejtë të komuniteteve, sfidat në funksionimin e institucioneve që zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, si dhe iniciativat për kontestimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.

Letra u është adresuar një game të gjerë liderësh ndërkombëtarë, përfshirë presidentin e ShBA-së Donald Trump, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kryeministrin britanik, Keir Starmer, presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni si dhe ish-presidentin amerikan, George W. Bush.

Gjithashtu, ajo u është dërguar edhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare dhe diplomatëve të lartë, përfshirë sekretarin e shtetit të ShBA-së Marco Rubio, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe zyrtarë të tjerë të BE-së, NATO-s, OKB-së dhe OSBE-së.

Në listën e adresuesve përfshihen edhe ish-përfaqësues dhe personalitete të shquara ndërkombëtare si George Robertson, Federica Mogherini, Javier Solana, Victoria Nuland dhe të tjerë.

Përmes kësaj letre, Ahmeti ka kërkuar angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë për ruajtjen e arritjeve të marrëveshjes së Ohrit, forcimin e stabilitetit politik dhe avancimin e perspektivës euroatlantike të vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i vizitorëve në hotelet e Kosovës ka shënuar rritje…