Ahmeti: U përgjova nga maqedonasit kur flisja për Specialen,  provat në Hagë janë të inskenuara nga serbët

03 tetor 2025 | 14:21

Lideri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe një nga themeluesit e UÇK-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se ka qenë subjekt përgjimesh nga shërbimet e sigurisë maqedonase.

Ai është shprehur se këto përgjime dëshmojnë përkushtimin e tij për të votuar Gjykatën Speciale me qëllimin e vetëm për të nxjerrë në dritë të vërtetën mbi luftën në Kosovë.

“Unë jam i përgjuar nga Maqedonia dhe në ato përgjime shihet qartë se si flas me deputetë për ta votuar Gjykatën Speciale, jo që ajo të devijojë apo të krijojë dëshmitarë të rremë, por që e vërteta të dalë në pah, e vërteta që është fshehur në librin e verdhë”, ka thënë Ahmeti për “Euronews Albania”.

Ai ka thënë se nuk pranon që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të gjykohet për ngjarje që, sipas tij, janë të inskenuara nga vetë shërbimet serbe.

“Si mund ta gjykosh UÇK-në për rastin e Pejës, ku u vranë 9 serbë? Më vonë doli se ishte vetë organizim i shërbimeve serbe. Ashtu si rasti i Martinoviqit, që dhunoi veten dhe akuzoi shqiptarët”, ka thënë ai.

Më tutje, Ali Ahmeti ka ngritur shqetësimin se shumë prej akuzave që rëndojnë mbi shqiptarët janë pjesë e dezinformimit nga shërbimet e fshehta serbe.

Ai ka thënë se qëllimi i tyre nuk ka qenë kurrë të bëjnë krime, por të ndërtojnë një strukturë të organizuar ushtarake për mbrojtje dhe çlirim, gjë që nuk u arrit plotësisht për shkak të dinamikave të kohës.

“Objektivi ynë ka qenë të ndërtojmë strukturën ushtarake, por nuk arritëm te ky objektiv, sepse zhvillimet ishin aq të forta sa gjithkush vepronte ku donte. Nuk u arrit të krijohej një hierarki për një ushtri të mirëfilltë”, ka thënë Ahmeti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Real Madridit, Jude Bellingham, nuk është thirrur në…