Ahmeti, Vuçiqit: Mendimet tuaja nuk kanë kurrfarë peshe juridike

04 shkurt 2019 | 16:11

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator, Shpend Ahmeti, duke iu referuar deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili e ka kushtëzuar vazhdimin dialogut me heqjen e taksës dhe mos ndërrimin të statutit të “Trepçës”, ka thënë se mendimet e tij nuk kanë asnjë peshë juridike.

Ahmeti në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Vuçiqi dhe të tjerët duhet ta kuptojnë se Kosova është shtet i pavarur e sovran, dhe se vendimet e veta i merr sipas procedurave institucionale e demokratike

Postimi i plotë i Ahmetit:

Presidenti i Serbisë e paska shtuar një kusht të ri për pjesëmarrje në dialog – atëherë kur Kosova pushon së provokuari siç e paska kuptuar Vuçiqi miratimin në Kuvend të Statusit të ndërmarrjes “Trepça”!

Një gjë Vuçiqi dhe gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë : Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, që i merr vendimet në mënyrë demokratike e sipas procedurave institucionale. Vuçiqi mund të mendojë çfarë të dojë për Kosovën, por mendimet e tij nuk kanë kurrfarë peshe juridike. Rrjedhimisht është duke humbur kohë. Vendimet e tilla edhe mund t’i prishin plan atij. Por prapë kjo nuk është dhe nuk mund të jetë brengë e Kosovës.

Kosova është e gatshme të dialogojë. Për këtë jemi duke i bërë gati të gjitha dokumentet e nevojshme (delegacionin, ligjin, platformën). Është vendim i Serbisë se si do të përgatitet për këtë dialog. Është po ashtu vendim i Serbisë nëse do të bëhet pjesë e dialogut. Por nuk mundet në asnjë mënyrë ta përdorë dialogun për ta mohuar Republikën e Kosovës, sovranitetin institucional të vendit.

Në këtë dialog shkojmë për ta përmbyllur çështjen e hapur që e kemi me Serbinë e që është mosnjohja e mospranimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës. Kjo e definon karakterin e dialogut. Tjetër synim nga ky dialog nuk kemi. Dhe tjetër synim të këtij dialogu nuk pranojmë.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka hedhur postë kërkesën…