AIP-i kërkon nga partitë politike t’i mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka ripërsëritur kërkesën për partitë politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor
Në njoftimin e AIP-it është thënë se kërkojnë nga partitë që përpunimi i të dhënave personale me qëllim të promovimit të kandidatëve, komunikimit me votuesit apo organizimit të aktiviteteve politike, duhet të bëhet mbi baza të qarta ligjore duke respektuar siç thuhet, parimin e drejtësisë, proporcionalitetit dhe transparences.
AIP-i ka theksuar se subjektet politike mbajnë përgjegjësi të plotë për garantimin e përpunimit të sigurt dhe të ligjshëm të të dhënave personale të qytetarëve.
Në këtë drejtim, subjektet politike obligohen të sigurojnë që:
* Të sigurojnë që çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazën ligjore të përpunimit, si- pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj;
* Të mos përdoren të dhënat e kontaktit të qytetarëve, të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike, të mbajtura nga institucionet, apo të mbledhura për qëllime të tjera jo-politike, për komunikim ose marketing politik;
* Të respektohet e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përpunimin e të dhënave të tyre, për qëllim marketingut politik dhe të sigurohet ndërprerja e menjëhershme e komunikimit pas paraqitjes së kundërshtimit;
* Të shmangen format e profilizimit e votuesve për qëllim të marketingut politik ose përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç në rastet kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe kur janë ndërmarrë masat mbrojtëse. Në rastet kur përdoren teknologji që mund të shkaktojnë rrezik të lartë për të drejtat e individëve, kërkohet kryerja e Vlerësimit të Ndikimit mbi Mbrojtjen e të Dhënave (VNMDh) sipas udhëzimeve të AIP – së dhe
* Të sigurohet transparencë e plotë ndaj qytetarëve lidhur me qëllimet, arsyetimin ligjor dhe mënyrat e përpunimit të të dhënave personale dhe të publikohen politika të privatësisë të qarta, të përditësuara, dhe të qasshme gjatë gjithë periudhës zgjedhore
Agjencia për Informim dhe Privatësi do të ofrojë mbështetje profesionale për subjektet politike për të siguruar se procesi zgjedhor do të zhvillohet në përputhje me standardet për mbrojtjen e të dhënave personale.



