Ajvaz Brisha, kandidat për kryetar të Drenasit

24 qershor 2025 | 14:08

Kryetari i Bashkimit Demokratik, Ajvaz Brisha, ka shpallur kandidaturën për kryetar të Drenasit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

“Zgjedhjet lokale të tetorit 2025 po afrohen, e me këtë edhe mundësia që përmes votës të ngritni zërin tuaj për komunën çfarë e dëshironi, t’ia besoni menaxhimin e përditshmërisë suaj një qeverisjeje lokale transparente dhe një kryetari të përgjegjshëm. Drenasit i kanë munguar këto dy elemente pas luftës, ndaj kemi themeluar partinë politike ‘Bashkimi Demokratik’, ku kryetar jam unë, prof. dr. Ajvaz Berisha. Ky angazhim politik më merr kohë dhe mund, por unë synoj të vë në shërbimin tuaj tërë mundin, dijen dhe potencialin tim për një Drenas më të përparuar, më të barabartë dhe më të jetueshëm”, ka thënë Berisha në njoftimin e Bashkimit Demokratik.

Çfarë do të ofrojë Ajvaz Berisha si kandidat për kryetar të Drenasit? “Nëse doni qeverisje në shërbimin tuaj e jo të klaneve dhe ‘nëntokës politike’; nëse doni qeverisje që nuk merr urdhra nga lart; nëse doni eliminimin e nepotizmit, korrupsionit, pabarazisë e politizimit të çdo sfere jetësore; nëse synoni që të mos vazhdojmë të mbesim qe 3 dekada komuna më e varfër në Kosovë, përkundër që jemi e para me kontributin dhe viktimat për liri;…atëherë zgjedhja e juaj për eliminimin e këtyre problemeve dhe sfidave është PP ‘Bashkimi Demokratik’ dhe programi liberal që unë përfaqësoj. Qytetari, të drejtat dhe liritë e tij, mundësitë zhvillimore për Drenas, përmirësimi i pozitës së gruas, rinisë, përkrahja e bizneseve, bujqve dhe kategorive të luftës, do të jenë në fokusin tim! Iu bëj thirrje të hapur rinisë, studentëve, intelektualëve, gruas drenicase, luftëtarëve për liri, njerëzve me dinjitet e guxim, që Drenasi i ka pasur gjithmonë: mos e vrisni ardhmërinë tuaj, të fëmijëve tuaj e gjeneratave që po vijnë, mos e shitni votën e mos iu besoni atyre që kanë keqqeverisur qe 25 vite, mos ua vazhdoni jetën politike atyre që kanë favorizuar nepotizmin, korrupsionin, skandalet e aferat e ndryshme, mos u bëni përkrahës të politikanëve që kanë përvetësuar, privatizuar e politizuar pa të drejtë edhe luftën dhe meritat për të, mos lejoni t’iu “hedhin hi syve” të njëjtit, të cilët kanë krijuar rrethanat që nga Drenasi të ikin mbi 11000 banorë e qindra biznese, përkundër faktit që Drenasi ka pozitën më të favorshme në tërë Kosovën”.

Ai ka theksuar se përballë disa “kartave të djegura” politike, të njohura, të sprovuara e në vazhdimësi të dështuara, Bashkimi Demokratik dhe ai si lider, së bashku bashkëpunëtorët e qytetarët, janë alternativa e duhur për komunën e Drenasit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çmimi i produkteve të naftës tashmë është rregulluar me vendimin…