AKA organizon konferencën e tretë ndërkombëtare për arsimin e lartë

02 tetor 2025 | 11:51

U mbajt konferenca e tretë ndërkombëtare vjetore për arsimin e lartë, e organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), me temën: “Arsimi i lartë i ndërkombëtarizuar: tejkalimi i kufijve për të bashkuar njerëzit”.

Më shumë se 160 pjesëmarrës nga vende të ndryshme evropiane, nga rajoni, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova, morën pjesë në panele të ndara, ku u diskutua mbi përparësitë dhe sfidat e ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë.

Temat e trajtuara përfshinë: rolin e ENQA dhe EQAR në ndërtimin e urave mes institucioneve të arsimit të lartë përmes zbatimit të standardeve evropiane të cilësisë; edukimin transnacional; ndikimin e ndërkombëtarizimit në sigurimin e cilësisë dhe në sistemet kombëtare të edukimit; bashkëpunimin përtej kufijve; si dhe rolin e diasporës në këtë proces.

Në konferencë morën pjesë me paraqitjet e tyre edhe Doris Herrmann, nënkryetare e Bordit të ENQA, Peter Levente Lakatos, anëtar i Bordit të ENQA, si dhe Aleksandar Susnjar, drejtor i EQAR.

Gjatë hapjes së konferencës, AKA ndau edhe certifikata të cilësisë për institucionet që janë dalluar në fushën e ndërkombëtarizimit dhe profilizimit.

Fitues të certifikatave ishin Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës, Fakulteti Filologjik i Universitetit të Prishtinës, Universiteti i Pejës, Universiteti i Prizrenit dhe Kolegji “Tepulli”.

Konferenca u mbështet nga projekti SHER, i cili financohet nga Agjencia ADA e Austrisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori amerikan, Edward P. Joseph, ka thënë se aktualisht Kosova…