Akademik Arsim Bajrami emërohet përgjegjës për bashkëpunimin me Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës

11 shkurt 2026 | 12:18

Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK), Justina Pula, dhe akademiku Arsim Bajrami kanë pritur në takim drejtorin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, Atdhe Hetemi, me bashkëpunëtorë.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë konkrete të bashkëpunimit institucional ndërmjet AShAK dhe Institutit, përfshirë nënshkrimin e një memorandumi të mirëkuptimit, shkëmbimin dhe shfrytëzimin e literaturës, arkivave dhe bibliografisë shkencore, organizimin e konferencave, tryezave dhe simpoziumeve të përbashkëta, si dhe angazhimin e ekspertizës akademike dhe multidisiplinare në funksion të dokumentimit dhe analizimit shkencor të krimeve të luftës në Kosovë.

Në këtë kuadër, u theksua edhe kontributi i rëndësishëm i AShAK gjatë katër viteve të fundit, përmes organizimit të konferencave shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe botimit të studimeve, përmbledhjeve dhe monografive shkencore, ku krimet e luftës dhe gjenocidi i kryer nga Serbia në Kosovë janë trajtuar me argumente shkencore, qasje metodologjike të qëndrueshme dhe në përputhje me standardet e së drejtës ndërkombëtare dhe historisë bashkëkohore, duke kontribuar në ruajtjen e kujtesës historike dhe në kundërshtimin e tendencave për relativizim dhe rishkrim të historisë.

Me vendim të Kryesisë së AShAK-ut, akademik Arsim Bajrami është caktuar përgjegjës për bashkëpunimin institucional me Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asambleistët e Partisë Demokratike të Kosovës  në Kryeqytet i janë…