
Akademik Qosja: LDK-ja kërkon të jetë e privilegjuar në institucione edhe pse doli e dyta në zgjedhje
Akademik Rexhep Qosja, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, sidomos negociatat në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për çështjen e koalicionit qeverisës.
Qosja ka thënë se LDK-ja është duke kërkuar që të jetë e privilegjuar në institucione edhe pse ka dal partia e dytë në zgjedhje.
“Posti i kryetarit të ardhshëm të Kosovës, që do zgjidhet në vitin 2021, është bërë shkaku kryesor, mos i vetmi, që dy partitë që i kanë nisur bisedimet për krijimin e koalicionit nuk po arrijnë ta krijojnë atë koalicion dhe nuk po arrijnë t’i krijojnë institucionet shtetërore. Partia që doli e dyta në zgjedhje, LDK-ja, edhe pse e dyta, kërkon të jetë jo e barabartë, por e privilegjuar në institucionet që do të krijohen! Përpos pesë ministrive sa do të ketë edhe partia e parë që i ka fituar zgjedhjet, VV, dhe postit të kryetari të Kuvendit, kërkon të ketë edhe postin e kryetarit të Kosovës! Është kjo një çudi e çudirave! Je parti e dytë, d.m.th. parti që s’i ke fituar zgjedhjet për ta krijuar qeverinë e kërkon të jesh në institucionet shtetërore parti me dy postet më të larta, me postin e kryetarit të Kuvendit dhe me postin e kryetarit të shtetit! Ku ndodh kjo?!”, ka shkruar akademik Qosja në një shkrim autorial.
Më tutje, ai ka thënë se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ta lenë përshtypjen e uzurpuesit të kësaj partie.
“Kryetari i LDK-së që për shumë vështrues të punëve tona politike lë përshtypjen e uzurpuesit të LDK-së sot, po e dëshiron edhe postin e kryetarit të Kosovës: ende s’dihet sigurt për veten apo për ndonjë anëtar tjetër të kësaj partie. Fajtorin e moskrijimit të qeverisë së Republikës së Kosovës sot, mos ta kërkojmë, prandaj, andej e këndej, po aty ku është: e është në politikën e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. Dhe, të atyre të tjerëve jashtë LDK-së, që duan ta pengojnë Vetëvendosjen që të bëhet forca politike historike, që do realizojë vullnetin e popullit për ndryshimin e gjendjes që po e gulçon Kosovën, që moçalishten shtetërore të Kosovës të vërshuar prej korrupsionit, nepotizmit, krimit të organizuar, padrejtësive, përpjekjeve për të gjetur shpëtim në botë rinia e saj, despotizmit primitiv don ta shërojë e ta bëjë shtet të shëndoshë, modern, demokrati, të denjë për të jetuar i lirë e i denjë në të”, ka shkruar Qosja.