Akademik Sabri Hamitit i jepet Çmimi “Jakov Xoxa”

24 prill 2023 | 13:56

Sot, në hapje të “Panairit të librit akademik dhe shkencor”, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, librit “Stilografia” të Sabri Hamitit i është dhënë Çmimi “Jakov Xoxa”, të cilin e ka themeluar Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL-ja). Drejtoresha e QKLL-së, znj. Alda Bardhuli, e ka lexuar vendimin, ndërsa çmimin akademik Sabri Hamitit, ia ka dorëzuar kryetari i AShSh-së, akademik Skënder Gjinushi.

I ka përshëndetur të pranishmit edhe Agron Xoxa, i biri i shkrimtarit shqiptar Jakov Xoxa.

Në fjalën e tij, pas pranimit të Çmimit, Sabri Hamiti ka  folur për Xoxën dhe krijimtarinë e tij letrare.

“Jam i nderuar me vlerësimin që i bëni librit tim. Qendra e Librit dhe e Leximit ka bërë një gjetje të pazakontë duke i dhënë emrin e novelistit e romansierit Jakov Xoxa një çmimi për vepër kritike. Kjo edhe duket si një pohim që shkrimi i leximit letrar bëhet letërsi.

Në librin tim Stilografia, tashmë të shënjuar me emrin Jakov Xoxa, kryevepra e Xoxës Lumi i vdekur, renditet midis kryeveprave të letërsisë shqipe.

Romani Lumi i vdekur, në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar ishte bërë një libër kult për brezin e ri të lexuesve në Kosovë: për përmasat e thurjes së romanit epik në shqip;  për marrëdhëniet njerëzore e shoqërore të kosovarëve të shpërngulur me vendasit në Shqipëri; e sidomos i pëlqyer në tregimin e dashurisë të Vitës e Adilit.

Romani adhurohet sidomos për stilin e tij që i ngjet prozës së Mitrush Kutelit pararendës dhe që gjen vazhdimin në prozën e Vath Koreshit.

Romani Lumi i vdekur tematizon në mënyrë origjinale fenomenin e Natyrës dhe Kulturës, duke i sprovuar me Humanen, për të përapëlqyer natyralen si kundërpeshë të arrogancës së njeriut.

Këtë zbulim do ta ketë bërë cilido shkrimtar, që e ka takuar Jakov Xoxën në Apolloni, në fillim të viteve 70-të, kur ai vetmitar, i paqtuar me natyrën po thurte prozën e vet epike, larg kryeqytetit dhe klubit të thashethemeve”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Habibe Babatinca nga Prishtina, shpall të pavlefshme diplomën e SHML…