
AKB: ATK duhet të jetë partnere edukuese jo ndëshkuese
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), me ftesë të drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Mentor Hyseni, mori pjesë në një takim të rëndësishëm me përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave profesionale të kontabilitetit dhe auditimit, si dhe përfaqësues të komunitetit të bizneseve.
Ky takim kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus të veçantë në edukimin tatimor dhe zhvillimin profesional si bazë për ndërtimin e një administrate tatimore moderne dhe partneritet të qëndrueshëm me sektorin privat.
Gjatë takimit, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se Administrata Tatimore duhet të ketë një rol edukues dhe bashkëpunues me bizneset, e jo të shihet si mekanizëm ndëshkues:
“ATK duhet të jetë një institucion edukues dhe partner i komunitetit të biznesit – jo t’i trajtojë ata vetëm si taksapagues. Ju si udhëheqës i ri që vini nga jashtë ATK-së, keni mundësinë dhe përgjegjësinë të prishni një ‘rrjet merimange’ të krijuar nga brenda sistemit, që ka dëmtuar bizneset e ndershme ndër vite. 90% e bizneseve në Kosovë paguajnë tatimet në mënyrë vullnetare – kjo tregon kulturë të lartë fiskale dhe përkushtim ndaj shtetit. Ky kontribut duhet të vlerësohet, jo të paragjykohet”, ka thënë Shahini.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për sjelljen dhe qasjen e disa inspektorëve tatimorë në terren, duke theksuar se këto ankesa janë të përsëritura dhe duhet të adresohen me përkushtim për të ruajtur besimin mes sektorit privat dhe institucioneve publike.
Shahini ka theksuar se Aleanca Kosovare e Bizneseve rithekson përkushtimin e saj për bashkëpunim të hapur dhe konstruktiv me ATK-në dhe institucionet tjera relevante, për të ndërtuar një ambient biznesor më të drejtë, transparent dhe konkurrues në Kosovë.