AKB: Goditja ndaj Qumështores VITA është goditje ndaj prodhimit vendor, investimeve dhe ekonomisë së Kosovës
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me raportimet për aksionin e zhvilluar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), nën përgjegjësinë e Ministrisë së Bujqësisë, në njësinë prodhuese të qumështit Vita, pjesë e Devolli Group.
AKB rithekson se çdo biznes në Republikën e Kosovës duhet t’i nënshtrohet kontrollit ligjor. Megjithatë, kontrollet duhet të zhvillohen në mënyrë profesionale, të paanshme, proporcionale dhe transparente, pa krijuar perceptimin e presionit selektiv apo ndikimit politik ndaj kompanive vendore.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaron se Devolli Group është një nga kompanitë më të mëdha dhe më të rëndësishme në Kosovë.
“Brendi Vita është simbol i prodhimit vendor, i cili prej vitesh furnizon tregun, mbështet fermerët, punëson mijëra qytetarë dhe kontribuon ndjeshëm në ekonominë e vendit. Çdo veprim institucional që krijon perceptimin e presionit ndaj një kompanie të këtij niveli dëmton besimin e biznesit, reputacionin e shtetit dhe klimën investuese në Kosov”, ka theksuar ai.
AKB-ja vlerëson se prodhuesit vendorë nuk duhet të shihen si objekt presioni, por si partnerë strategjikë të zhvillimit ekonomik. Kompanitë që kanë investuar për dekada, kanë krijuar vende pune dhe kanë ndërtuar marka të njohura vendore meritojnë trajtim institucional të drejtë dhe të barabartë.
“Nëse një kompani ka shkelur ligjin, institucionet duhet të veprojnë sipas procedurave ligjore. Por, nëse veprimet institucionale tejkalojnë standardet profesionale ose krijojnë perceptimin e një qasjeje selektive, atëherë dëmtohet besimi i gjithë komunitetit të biznesit”, ka thënë Shahinim
AKB i bën thirrje Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë që të ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm mbi bazën e ligjit dhe profesionalizmit, e jo të krijojnë perceptimin se inspektimet udhëhiqen nga urdhra apo ndikime politike.
“Kur profesionalizmi zëvendësohet nga perceptimi i ndërhyrjes politike, humbësi më i madh është ekonomia e Kosovës.
Veprime të tilla dërgojnë një mesazh negativ për investitorët vendorë dhe të huaj, duke krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike. Kosova ka nevojë për politika që mbështesin prodhimin vendor, investimet dhe zhvillimin ekonomik, e jo për veprime që cenojnë besimin në institucionet shtetërore”.
“AKB u bën thirrje institucioneve që të ruajnë pavarësinë profesionale, të respektojnë shtetin ligjor dhe të trajtojnë çdo kompani në mënyrë të barabartë, sepse vetëm kështu mbrohet interesi i ekonomisë së Kosovës dhe krijohet një klimë e sigurt për biznesin dhe investimet”, ka deklaruar Shahini.



