
AKB-ja akuzon ASK-në për manipulim të të dhënave statistikore në funksion të propagandës politike
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj një publikimi të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila ka prezantuar të dhëna për vitin 2024 që sipas saj, tregojnë për “rritje të jashtëzakonshme” të të hyrave nga mërgata dhe tregtia e jashtme, në krahasim me vitin 2014.
Në reagimin e saj zyrtar, AKB-ja ka vënë në pikëpyetje metodologjinë e zgjedhur nga ASK, duke e cilësuar krahasimin 10-vjeçar si të pazakontë dhe të paarsyetuar profesionalisht, dhe duke ngritur dyshime serioze për motivime politike pas këtij publikimi.
“ASK ka zgjedhur të krahasojë të dhënat e vitit 2024 me ato të vitit 2014, pa ofruar asnjë arsyetim profesional për këtë zgjedhje. Kjo na bën të besojmë se kemi të bëjmë me një manipulim të qëllimshëm të statistikave, në funksion të propagandës politike, në një kohë kur vendi ndodhet në atmosferë zgjedhore”, është thënë në reagimin e AKB-së.
AKB-ja, e cila drejtohet nga Agim Shahini, e ka konsideruar përpjekjen për ta paraqitur rritjen e remitancave si sukses ekonomik një mashtrim publik. Sipas saj, këto të ardhura janë rezultat i largimit të qytetarëve jashtë vendit dhe nuk reflektojnë zhvillim të qëndrueshëm vendor.
“Remitancat janë para të dërguara nga mërgimtarët tanë – qytetarë që janë detyruar të largohen nga vendi për të kërkuar punë dhe jetë më të mirë. Ato nuk janë shenjë e zhvillimit ekonomik, por tregues i mungesës së mundësive në Kosovë”, është thënë në reagim.
AKB-ja ka vlerësuar se, ndonëse rritja e eksporteve është pozitive, entuziazmi që është krijuar për të është i tepruar dhe i paarsyeshëm, sidomos në një krahasim afatgjatë pa kontekst.
Ndërkohë, rritja alarmante e importeve, nga 2.5 miliardë euro në vitin 2014 në 6.4 miliardë euro në vitin 2024, sipas AKB-së, tregon varësi të thelluar nga tregjet e jashtme, çka përbën një kërcënim për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.
AKB-ja ka parashtruar disa pyetje të drejtpërdrejta për ASK-në:
Pse u zgjodh krahasimi me vitin 2014, dhe jo me vitin paraprak apo një periudhë pesëvjeçare më të zakonshme në analiza statistikore?
Pse nuk u ofrua kontekst i qartë për publikimin?
Kujt i shërben ky lloj prezantimi, qytetarëve apo interesave politike?
Aleanca Kosovare e Bizneseve (ALB) i ka bërë thirrje Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) që të ndalojë përdorimin e statistikave për qëllime politike, dhe të rikthehet në rolin e saj si institucion i pavarur dhe profesional, duke publikuar të dhëna të plota, të paanshme dhe të dobishme për publikun dhe politikëbërësit.