
AKB-ja akuzon Komunën e Prishtinës dhe Pallatin e Rinisë: Po falimentojnë bizneset vendore
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komunës së Prishtinës dhe Pallatit të Rinisë për mbylljen e biznesit “VISARI SHPK – VVD”, duke e cilësuar si veprim arbitrar, të paligjshëm dhe me pasoja të rënda për ekonominë vendore.
Në reagimin e AKB-së është thënë se më 1 shtator, pa vendim gjykate dhe në kundërshtim me parimet ligjore është mbyllur kompania me traditë 20-vjeçare, e cila ka qenë kontribuese e rregullt në pagesën e qirasë dhe tatimeve në Administratën Tatimore të Kosovës.
Nga ky vendim, sipas AKB-së, 25 punëtorë kanë mbetur pa punë dhe kompanisë i janë uzurpuar mbi 200 mijë euro, duke e pamundësuar veprimtarinë normale.
Po ashtu, sipas AKB-së rrezikohet falimentimi i markës tregtare “Life Style”, e njohur në tregun vendor.
“AKB-ja e konsideron këtë akt si shkelje flagrante të ligjit, të drejtave të pronësisë dhe të lirisë së biznesit, duke dëshmuar një arrogancë institucionale të papranueshme dhe dëm të drejtpërdrejtë për ekonominë e vendit”, është thënë në reagim.
AKB-ja ka kërkuar që të hiqet menjëherë dryni dhe të rikthehet biznesi në lokalet ku ka ushtruar aktivitetin prej dy dekadash, ndërsa institucionet qendrore të reagojnë ndaj këtij precedenti, ku bizneset mbyllen pa vendim gjyqësor dhe pa respektim të kontratave.
“AKB-ja do të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike për të mbrojtur bizneset tona nga padrejtësitë e tilla, duke mos lejuar që vendimet arbitrare të shkatërrojnë mundin dhe punën e qytetarëve tanë”, është thënë në reagimin e AKB-së.