
AKB-ja: Kosova në prag të kolapsit ekonomik, rritet varfëria dhe tkurrja e popullsisë
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka mbajtur mbledhjen e rregullt të Bordit Udhëheqës, ku u diskutuan sfidat më të mëdha që po kalon ekonomia e Kosovës dhe rreziqet serioze që po i kanosen stabilitetit ekonomik, social dhe politik të vendit.
Në këtë mbledhje u trajtuan tema jetike si: siguria juridike e investitorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, gjendja e prodhuesve vendorë, tregtia dhe shërbimet, ndërtimtaria, tregu i derivateve të naftës, energjia elektrike pas shtrenjtimit, vjelja e rrushit 2025, sektori i mallrave dhe tekstilit, si dhe pasojat e përjashtimit të Kosovës nga dialogu strategjik me ShBA-në.
Bordi i AKB-së ngriti shqetësime të mëdha për gjendjen aktuale: Rritja e çmimeve ka rënduar jetën e qytetarëve dhe ka ulur fuqinë blerëse të familjeve; Inflacioni i lartë po gërryen të ardhurat dhe po rrezikon bizneset; Varfëria është në rritje, duke shtyrë shumë familje drejt pamundësisë për të përballuar jetesën.
“Importi për vitin 2025 pritet të arrijë rreth 7 miliardë euro, duke dëshmuar dobësinë e prodhimit vendor dhe varësinë e skajshme nga jashtë. Investimet në ndërtimtari kapin shifrën e 9 miliardë eurove, por ky kapital mbetet i vdekur, pa krijuar vende pune të qëndrueshme apo zhvillim industrial. Popullsia e Kosovës është tkurrur rreth 10% vetëm në vitin e fundit, duke e bërë Kosovën vendin me rënien më të shpejtë demografike në botë”, thuhet në komunikatën e AKB-së.
Këto shifra alarmante sipas AKB-së tregojnë se ekonomia e Kosovës ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm, ku mungesa e strategjive zhvillimore dhe pasiviteti institucional po e çojnë vendin drejt krizës së thellë ekonomike dhe sociale.
Në takim morën pjesë anëtarët e kryesisë së AKB-së: Agim Shahini, Arianit Koci, Shkëlzen Jusaj, Haziz Tafaj, Ahmet Kuqi dhe Isak Tusha, të cilët dhanë kontribut të çmuar me analiza dhe propozime konkrete për ta nxjerrë vendin nga kjo gjendje e rënduar.
Në fund të mbledhjes, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se Kosova po kalon një nga periudhat më të vështira të saj, ku rritja e çmimeve, inflacioni, varfëria, emigrimi dhe tkurrja e popullsisë po e rrezikojnë seriozisht të ardhmen e vendit. “Nëse institucionet nuk veprojnë me urgjencë për të mbrojtur ekonominë dhe për të fuqizuar prodhuesit vendorë, Kosova rrezikon të boshatiset dhe të mbetet një treg i varur vetëm nga importi. Kjo është koha e fundit për ndryshim”, ka thënë Shahini.